Elon Musk ka deklaruar se kufizimet e shpejtësisë dhe përdorimit të sistemit Starshield vendosen nga ushtria amerikane dhe, në fund të fundit, nga presidenti i SHBA-së, në një kohë kur Ukraina po përballet me probleme të lidhjes satelitore që përdoret për operacionet ushtarake kundër Rusisë.
Kufizimet e vendosura të martën në mbrëmje në rrjetin Starlink, në pronësi të kompanisë SpaceX të Musk, thuhet se kanë penguar disa prej misioneve ukrainase në fushën e betejës. Sipas raportimeve, lidhja ndërpritej për armët që lëviznin me shpejtësi mbi 160 kilometra në orë.
Starlink është një mjet i rëndësishëm për ushtrinë ukrainase, pasi mundëson komunikimin dhe drejtimin e dronëve drejt objektivave ruse, si dhe mbështet mbrojtjen ajrore të vendit.
Ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, njoftoi të mërkurën në mbrëmje se lidhja ishte rikthyer pjesërisht, por kërkoi heqjen e plotë të kufizimeve për Starshield, shërbimin e krijuar për përdorim qeveritar dhe ushtarak.
“Heqja e plotë e kufirit të shpejtësisë për Starshield është tani thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës”, shkroi Fedorov në platformën X, duke falënderuar Musk dhe duke kërkuar mbështetjen e tij të vazhdueshme. Musk iu përgjigj rreth një orë më vonë, duke sqaruar se Starshield është në pronësi dhe nën kontrollin e qeverisë amerikane.
“Çdo kufizim i shpejtësisë ose përdorimit vendoset nga ushtria amerikane dhe, në fund të fundit, nga presidenti i SHBA-së”, shkroi ai. Musk shtoi se Starlink është i destinuar për aktivitete civile ose mbrojtëse dhe se përdorimi i tij për operacione ushtarake sulmuese do të ishte i papërshtatshëm për një kompani tregtare. Qeveria amerikane nuk ka komentuar lidhur me këto deklarata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
