Termokos-i nis sezonin e ngrohjes me mbi 25 mijë konsumatorë,

0%

Ndërmarrja Publike “Termokos” ka përfunduar përgatitjet për fillimin e sezonit të ngrohjes 2026/2027, i cili nis më 15 tetor, duke bërë të ditur se janë përmbushur kushtet teknike për furnizim të rregullt të konsumatorëve.

Sipas përgjigjeve të dhëna për Telegrafin, aktualisht në rrjetin e ngrohjes qendrore janë të kyçur mbi 25 mijë konsumatorë, ndërsa ndërmarrja thotë se nuk pret ndryshime në orarin apo cilësinë e furnizimit krahasuar me sezonin e kaluar.

Termokos-i ka bërë të ditur se përgatitjet teknike kanë përfunduar me kohë, ndërsa rrjeti përfshin rreth 110 kilometra gjatësi dhe 886 nënstacione të ngrohjes, përmes të cilave furnizohen mbi 25 mijë njësi banesore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Ndërmarrja është e përgatitur dhe e organizuar mirë në aspektin teknik dhe profesional për t’iu përgjigjur me kohë çdo problemi që mund të shfaqet gjatë kësaj kohe”, thuhet në përgjigjen e Termokos-it.

Ndërmarrja ka theksuar se furnizimi me energji termike sigurohet përmes bashkëpunimit me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në kuadër të projektit të kogjenerimit, i cili mundëson shfrytëzimin e energjisë termike nga Termocentrali “Kosova B”.

Sipas Termokos-it, aktualisht sigurohen 140 MW energji termike nga dy blloqet e këtij termocentrali, kapacitet që, sipas ndërmarrjes, është i mjaftueshëm për furnizimin e konsumatorëve ekzistues.

Lagjet që furnizohen me ngrohje dhe zgjerimi i rrjetit Termokos-i ka bërë të ditur se rrjeti i ngrohjes qendrore aktualisht mbulon lagjet “Qendër”, “Ulpiana”, “Dardania” dhe “Bregu i Diellit”, si dhe pjesë të lagjeve “Kalabria”, “Mati 1” dhe “Arbëria”.

Megjithatë, kërkesat për kyçje të objekteve të reja vazhdojnë të paraqesin sfidë për ndërmarrjen, e cila ka theksuar se zgjerimi i rrjetit varet nga afërsia e objekteve me infrastrukturën ekzistuese dhe kapacitetet termike në pikat ku kërkohet kyçja.

Në përgjigjen për Telegrafin, Termokos-i nuk ka dhënë të dhëna konkrete për kërkesat e regjistruara nga banorët e rrugës “Muharrem Fejza”, zonës së Rrugës A dhe “Banesave të Bardha”, por ka theksuar se zgjerimi i rrjetit bazohet në një masterplan të hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë dhe në analiza të gjendjes në terren, raporton Telegrafi.

Ndërmarrja ka bërë të ditur se një pjesë e kapaciteteve shtesë që nevojiten për zgjerimin e rrjetit pritet të sigurohen përmes dy projekteve kapitale: “Solar 4Kosovo II” dhe projektit për dyfishimin e kapaciteteve të sistemit të ngrohjes.

“Solar 4Kosovo II” synon furnizimin e 8,600 familjeve Sipas Termokos-it, projekti “Solar 4Kosovo II” pritet të mundësojë furnizimin me ngrohje për 8,600 familje, përkatësisht rreth 38 mijë konsumatorë të rinj.

Në kuadër të këtij projekti, zgjerimi i rrjetit është planifikuar të përfshijë edhe një pjesë të objekteve banesore në këto zona: Tophane; Kalabria; Lakrishte; Lagjja e Muhaxherëve; Prishtina e Vjetër. Termokos-i ka bërë të ditur se projekti do të mundësojë sigurimin e 50 MW kapacitet shtesë termik.

Ndërkaq, projekti për dyfishimin e kapaciteteve dhe dekarbonizimin e sistemit të ngrohjes synon rritjen e kapacitetit termik nga 140 MW në 280 MW. Sipas ndërmarrjes, ky projekt do të krijojë mundësi për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit, si dhe për uljen e konsumit të energjisë elektrike dhe të ndotjes së ajrit, përmes zvogëlimit të varësisë nga alternativat e tjera të ngrohjes.

Për projektin “Solar 4Kosovo II”, Termokos-i ka bërë të ditur se janë duke u zhvilluar procedurat tenderuese për përzgjedhjen e kompanisë që do t’i realizojë punimet.

Projekti mbështetet nga donatorë ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, Qeverinë gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si dhe nga fondet vetanake të ndërmarrjes.

Projekti për dyfishimin e kapaciteteve, ndërkaq, ndodhet në një fazë më të hershme të zhvillimit dhe pritet të financohet nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe BERZH-i. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi