Më 17 nëntor, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do ta shpallin aktgjykimin në rastin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Ky proces vjen pas gjykimit kryesor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në të cilin Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan më 16 shtator me gjithsej 81 vjet burgim për disa akuza për krime lufte. Vendimi është i shkallës së parë dhe mbrojtjet kanë paralajmëruar ankesa.
Ndërkohë, çështja për pengim të drejtësisë po trajtohet si proces i veçantë dhe lidhet me pretendimet e prokurorisë për përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve gjatë vitit 2023, kur Thaçi ndodhej në paraburgim në Hagë. Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, gjyqtari i vetëm i çështjes, Charles L. Gosnell, e ka caktuar shpalljen e aktgjykimit për orën .
Përveç Thaçit, në këtë rast akuzohen edhe Bashkim Smakaj, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, ish-ministër i Drejtësisë. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Gjatë deklaratave përmbyllëse në shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi gjashtë vjet burgim për Thaçin, nga tri vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, si dhe nëntë muaj për Kuçin. Në anën tjetër, mbrojtja e Thaçit kërkoi lirimin e tij, duke argumentuar se nuk janë paraqitur prova të mjaftueshme për dënimin e kërkuar.
Njohësit e drejtësisë kanë folur për “Bota sot”, rreth vendimit të mundshëm, duke thënë se drejtësia duhet të vihet në vend dhe e vërteta të zbardhet. Sipas tyre, prokuroria do ta bëjë punën e vet, ashtu siç e ka bërë deri më tani, dhe do t’i kërkojë dënimet që i konsideron të përshtatshme.
“Askush nuk duhet të jetë mbi drejtësinë” Avokati Gazmend Halilaj Avokati Gazmend Halilaj, shpreh përkrahjen e tij ndaj Gjykatës Speciale, duke thënë se Kosova ka kaluar histori të dhimshme dhe se çdo pretendim duhet të shqyrtohet me seriozitet. Sipas Halilajt, askush nuk duhet të jetë mbi drejtësinë, pavarësisht pozitës që ka pasur apo kontributit që mund të ketë dhënë.
“Për drejtësi, për të vërtetën dhe për një shtet ku askush nuk është mbi ligjin! Unë e përkrah Gjykatën Speciale, sepse besoj se drejtësia duhet të vihet në vend dhe e vërteta duhet të zbardhet, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Për mua, kjo nuk është çështje inati, hakmarrjeje apo bindjeje politike, por çështje parimi, përgjegjësie dhe respekti për drejtësinë.
Kosova ka kaluar një histori të dhimbshme dhe populli ynë e di më së miri se sa e rëndësishme është e vërteta. Prandaj, çdo pretendim duhet të shqyrtohet me seriozitet, çdo provë duhet të vlerësohet me paanshmëri dhe çdo vendim duhet të mbështetet në ligj.
Askush nuk duhet të jetë mbi drejtësinë, pavarësisht pozitës që ka pasur apo kontributit që mund të ketë dhënë” , shprehet Halilaj për “Bota sot”. Sipas tij, përkrahja ndaj Gjykatës Speciale nuk do të thotë paragjykim, por drejtësi. Halilaj konsideron se drejtësia nuk duhet të kërkohet për njërin dhe të kundërshtohet për tjetrin.
“Si përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje, besoj në shtetin e së drejtës, në barazinë para ligjit dhe në përgjegjësinë e institucioneve. Përkrahja e Gjykatës Speciale nuk do të thotë të paragjykojmë askënd, por të kërkojmë që drejtësia të bëjë punën e saj dhe që fajësia apo pafajësia të përcaktohet vetëm mbi bazën e provave dhe standardeve ligjore.
Nuk mund të kërkojmë drejtësi për njërin dhe ta kundërshtojmë atë për tjetrin. Nuk mund të kërkojmë që ligji të vlejë për qytetarët e zakonshëm, ndërsa për njerëzit me pushtet të ketë përjashtime ”, thekson avokati. Në fund, sipas Halilajt, drejtësia nuk duhet të udhëhiqet nga emocionet, presionet politike apo interesat partiake.
Ai thekson se Kosova ka nevojë për drejtësi të barabartë për të gjithë. “Nëse duam një Kosovë me institucione të forta dhe me besim te drejtësia, atëherë duhet të jemi të gatshëm t’i respektojmë parimet e shtetit ligjor edhe kur proceset gjyqësore janë të ndjeshme politikisht.
Përkrahja ime për Gjykatën Speciale është përkrahje për parimin se e vërteta duhet të dalë në shesh, se viktimat meritojnë drejtësi dhe se çdo i akuzuar ka të drejtën e një gjykimi të drejtë. Drejtësia nuk duhet të udhëhiqet nga emocionet, presionet politike apo interesat partiake, por nga provat, ligji dhe paanshmëria. Drejtësia nuk është kundër askujt që është i pafajshëm.
Drejtësia është në shërbim të së vërtetës dhe përgjegjësisë. Kosova ka nevojë për drejtësi të barabartë për të gjithë, pa dallim emri, pozite apo partie. Ligji mbi të gjithë, privilegje për askënd!” , përfundon Halilaj për “Bota sot”. Dënim apo lirim nga aktakuza?
Blerim Burjani Kurse, juristi Blerim Burjani, thotë se vendimi përfundimtar do të varet nga vlerësimi i provave dhe argumenteve nga trupi gjykues. Sipas Burjanit, prokuroria do ta kryejë punën e saj dhe do të kërkojë dënimet që i konsideron të arsyeshme, por është paneli gjyqësor ai që duhet t’i shqyrtojë faktet dhe argumentet e paraqitura nga të dyja palët.
Ai shprehet se do të ishte e dëshirueshme që aktgjykimi të ishte në favor të pafajësisë së të akuzuarve, megjithatë, duke u bazuar në atë që ai e cilëson si trend të dënimeve të kësaj gjykate, nuk e përjashton mundësinë që Thaçi të dënohet me burgim edhe në këtë proces.
“Prokuroria do ta bëjë punën e vet, ashtu siç e ka bërë deri më tani, dhe do t’i kërkojë dënimet që i konsideron të përshtatshme. Por, në anën tjetër, faktet dhe argumentet do të vlerësohen nga paneli gjyqësor.
Do të ishte mirë që aktgjykimi të ishte i pafajësisë, por, duke ndjekur trendin e dënimeve të kësaj gjykate, mund të ndodhë që Thaçi të dënohet me rreth tre vjet burgim për ndërhyrje apo pengim të drejtësisë, ndërsa të akuzuarit e tjerë të marrin dënime më të ulëta.
Pra, nuk mund të përjashtohet mundësia që Thaçi të mos i shpëtojë një dënimi edhe në këtë rast” , ka deklaruar Burjani për “Bota sot”. Juristi ka theksuar gjithashtu se të akuzuarit kanë në dispozicion mekanizmat e brendshëm juridikë të Dhomave të Specializuara për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të kundërshtuar vendimet që mund të merren ndaj tyre.
Sipas tij, mbrojtja e të drejtave të të akuzuarve duhet të realizohet përmes procedurave dhe mekanizmave ligjorë që parashihen nga vetë kjo gjykatë, ndërsa vlerësimi përfundimtar i përgjegjësisë penale u takon gjyqtarëve që shqyrtojnë çështjen.
