Stambolli është përballur me një ditë të vështirë pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të qytetit. Rrugët janë bllokuar nga trafiku i rënduar, ndërsa disa lagje janë përballur me vërshime të menjëhershme të ujit.
Mes personave të bllokuar nga përmbytjet kanë qenë edhe këngëtari i njohur Murat Boz dhe aktorja e famshme Demet Özdemir, të cilët ndodheshin në studio në momentin kur situata u përkeqësua. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e Phoenix Stüdyoları, në zonën e Ayazağa-s, ku uji ka depërtuar me shpejtësi brenda godinës, duke shkaktuar përmbytje dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murat Boz ka bërë një thirrje urgjente për ndihmë drejtuar autoriteteve emergjente. “Jemi në zonën ku ndodhen Phoenix Stüdyoları në Ayazağa. Çdo gjë është nën ujë, studio po përmbytet dhe energjia elektrike është ndërprerë. Këtu jemi të bllokuar bashkë me qindra punonjës. Presim mbështetje urgjente nga autoritetet”, ka shkruar këngëtari.
Ndërsa situata po përkeqësohej, Boz publikoi edhe një mesazh tjetër, në të cilin tregoi se niveli i ujit po arrinte në lartësi kritike. “Tani po ngjitemi në pikën e fundit ku mund të ngjitemi… Ju lutem, na evakuoni me urgjencë. Këtu ka gra dhe të rinj” , ka shkruar ai, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për evakuimin e personave të bllokuar.
Edhe aktorja Demet Özdemir ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke konfirmuar se ishte në kontakt me ekipet e emergjencës dhe se po prisnin mbërritjen e tyre. Ajo ka theksuar se rritja e nivelit të ujit përbënte një rrezik serioz për të gjithë personat që ndodheshin brenda godinës. “Ju falënderoj shumë të gjithëve që keni shkruar e keni telefonuar.
Jemi në kontakt me autoritetet dhe po presim të arrijnë te ne. Shpresojmë që pa humbur më shumë kohë, unë, kolegët e mi dhe të gjithë të tjerët që janë të bllokuar këtu të shpëtohemi. Uji po ngrihet, ky është ngutja jonë më e madhe për momentin” , është shprehur aktorja.
Në një tjetër postim, Özdemir ka dhënë detaje të tjera për gjendjen në studio, duke bërë të ditur se po prisnin ekipin e kërkim-shpëtimit AKUT. “Për ata që po pyesin (ose janë të shqetësuar): Po presim që AKUT-i (ekipi i kërkim-shpëtimit) të mbërrijë te ne. Kati i parë është thuajse përmbytur plotësisht. Ne jemi në katin e dytë, që është edhe kati i fundit”, ka shkruar ajo.
Situata në Phoenix Stüdyoları në Ayazağa është përshkruar si shqetësuese, pasi uji ka përmbytur pothuajse plotësisht katin e parë, ndërsa personat e bllokuar janë strehuar në katin e dytë, i cili është edhe kati i fundit i godinës.
