Seriali legjendar “Baywatch” rikthehet në ekran me një version të ri nga Fox. Me aksion, operacione të rrezikshme shpëtimi dhe drama personale, produksioni i ri synon të sjellë sërish në vëmendje historinë e rojeve bregdetare të Los Angeles. Ndërkohë, është publikuar traileri, nën tingujt e këngës ikonike “I’m Always Here”, e njohur nga versioni origjinal.
Pamjet zbulojnë skena spektakolare, mes tyre rrëzimin e një avioni të vogël, një zjarr në kodrat pranë plazhit dhe shpërthimin e një kulle vrojtimi të rojeve bregdetare. Krahas aksionit, seriali do të trajtojë edhe konfliktet dhe marrëdhëniet personale mes pjesëtarëve të ekipit.
Në qendër të historisë është Hobie Buchannon, i luajtur nga Stephen Amell, i cili tashmë drejton ekipin e shpëtimtarëve. Ai është djali i Mitch Buchannon, personazhit të famshëm që në serialin origjinal interpretohej nga David Hasselhoff.
Jeta e Hobie-t merr një kthesë të papritur kur shfaqet vajza e tij, Charlie Vale, e interpretuar nga Jessica Belkin, e vendosur të ndjekë traditën e familjes. Në kastin e ri janë gjithashtu Hassie Harrison, Shay Mitchell, Thaddeus LaGrone, Noah Beck dhe Brooks Nader. Në role të përsëritura do të shfaqen edhe Livvy Dunne dhe David Chokachi, ky i fundit pjesë edhe e serialit origjinal.
Xhirimet po zhvillohen në Venice Beach dhe zona të tjera të Los Angeles, ndërsa regjinë e episodit të parë e ka marrë përsipër McG. Premiera e serialit të ri është planifikuar për janar në rrjetin televiziv Fox, duke rikthyer në ekran një prej produksioneve më të njohura televizive, të lidhur ngushtë me plazhet e Kalifornisë, aksionin dhe uniformat ikonike të shpëtimtarëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
