Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur zhgënjimin për marrëveshjen e presidentit amerikan, Donald Trump, me homologun rus, Vladimir Putin, lidhur me naftën, duke thënë se Ukraina po humbet një partner të fortë.
Para takimit me kryeministrin britanik, Andy Burnham, të mërkurën pasdite, Zelensky dha një intervistë për gazetarin Piers Morgan, ku u pyet nëse ndihej i tradhtuar nga ajo që u përshkrua si “armëpushimi energjetik” dhe marrëveshja për naftën mes Trumpit dhe Putinit. “Po, por është pak më e ndërlikuar. Kjo nuk varet nga unë; vendi ynë duhet të mbijetojë”, u përgjigj Zelensky.
Ai e cilësoi marrëveshjen e Trumpit për naftën si diçka “për të ardhur keq”, duke theksuar se Ukraina po humbet mbështetjen e një partneri të rëndësishëm. “Për ne nuk bëhet fjalë për biznes, por për vetë jetën tonë; ky është vendi ynë, është trupi ynë, shtëpia jonë, fëmijët tanë, dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne”, deklaroi presidenti ukrainas.
Zelensky tha se e konsideron të dhimbshëm faktin që Trumpi, sipas tij, po anon nga pala ruse në vend që të mbështesë Ukrainën. “Prandaj është e dhimbshme kur presidenti Trump zgjedh një anë, e jo anën tonë. Nuk e kemi problem nëse ai qëndron në mes, por nëse qëndron në mes, duhet të mbetet aty, e jo të kalojë në anën e gabuar”.
Në intervistë, Zelensky kritikoi edhe këshilltarët e presidentit amerikan, duke thënë se, sipas tij, ata po e këshillojnë gabim Trumpin. Ai shtoi se kjo qasje nuk përfaqëson, sipas tij, anën e duhur të historisë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
