Nikolloski: Po ndërtojmë gjashtë autostrada në të njëjtën kohë

0%

Maqedonia e Veriut po ndërton njëkohësisht gjashtë segmente autostradash, të cilat pritet të përmirësojnë lidhjet rrugore mes qyteteve dhe të lehtësojnë qarkullimin në vend. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, tha se punimet po vazhdojnë në disa projekte të rëndësishme, ndërsa afatet e përfundimit ndryshojnë nga një segment në tjetrin.

Një nga projektet më të rëndësishme është autostrada Kërçovë–Bukojçan, ndërtimi i së cilës ka nisur së fundmi. Sipas Nikoloskit, kjo autostradë është e rëndësishme për lidhjen e Shkupit me Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Ohrin dhe Strugën, si dhe për funksionalizimin e Korridorit 8.

Projekti përfshin ndërtimin e një tuneli, disa urave dhe viadukteve, si dhe nyjeve rrugore, për shkak të terrenit të vështirë malor. Sa i përket projekteve të tjera, Nikoloski bëri të ditur se autostrada Prilep–Manastir dhe ajo Tetovë–Gostivar pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2029.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Segmenti Gostivar–Bukojçan, i cili kalon nëpër terren malor dhe përfshin shumë ura, pritet të përfundojë në vitet 2029–2030. Ndërkaq, për autostradën Bukojçan–Kërçovë, afati i parashikuar është katër vjet, por kompania ndërtuese ka premtuar se punimet mund të përfundojnë më herët.

Për autostradën Ohër–Kërçovë, ministri pret që një pjesë e saj të hapet për qarkullim së shpejti, ndërsa përfundimi i plotë varet edhe nga kushtet atmosferike. Sipas Nikoloskit, këto projekte pritet të përmirësojnë infrastrukturën rrugore dhe të mundësojnë lidhje më të shpejta mes rajoneve të vendit.

Burimi: Telegrafi