Gabimi i parë më 2015, i dyti me ligjin e ri? PDK-ja dhe debati për

0%

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke krijuar bazën ligjore për funksionimin e Gjykatës Speciale. Nisma u arsyetua në atë kohë nga Hashim Thaçi dhe PDK-ja, si përpjekje për t’u dhënë përgjigje pretendimeve për krime lufte dhe për ta mbrojtur imazhin e Kosovës.

Më pas, proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, e kthyen Gjykatën Speciale në një nga çështjet më të debatueshme politike në Kosovë. Përgjegjësia penale e të akuzuarve duhet të përcaktohet nga gjykata, mbi bazën e provave dhe procedurave ligjore.

Në vitin 2026, PDK-ja ndërmori një nismë për ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Gjykatës Speciale, duke e paraqitur atë si përpjekje për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së dhe të drejtave të të akuzuarve. Megjithatë, nisma ka nxitur reagime lidhur me përputhshmërinë e ndryshimeve të propozuara me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Bashkimi Evropian ka deklaruar se ligji i miratuar më bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe ka kërkuar respektimin e pavarësisë së Gjykatës Speciale. Edhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka reaguar ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke vlerësuar se ato janë në kundërshtim me detyrimet themelore të vendit ndaj Bashkimit Evropian.

“Dua të jem e qartë: ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së dhe janë të papranueshme ”, deklaroi Kos. Kështu, debati për PDK-në dhe Gjykatën Speciale ka kaluar nga vendimi për themelimin e saj më 2015, te kritikat për mënyrën e funksionimit dhe përpjekjet e mëvonshme për ndryshime ligjore.

Çështja mbetet e ndjeshme politikisht dhe juridikisht, pasi përfshin njëkohësisht drejtësinë, trashëgiminë e luftës dhe marrëdhëniet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.

Sadiku: PDK-ja, pazaret politike dhe shpresat e rreme për Gjykatën Speciale Analisti politik, Arbnor Sadiku në një përgjigje për “Bota sot”, ka theksuar se shfuqizimi i ligjit nuk mjafton për zhbërjen e Gjykatës Speciale, pasi duhet të trajtohet edhe baza e saj kushtetuese.

Analisti politik, Arbnor Sadiku Ai ka kërkuar nga PDK-ja llogaridhënie për premtimet ndaj qytetarëve dhe familjeve të ish-drejtuesve të UÇK-së, duke nënvizuar se çdo zgjidhje duhet të ketë bazë të qartë juridike.

“Sipas Edward Joseph ekspert politik anerikan, Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet thjesht duke shfuqizuar ligjin, pa u trajtuar, apo thenë ndryshe pa u ndryshuar edhe baza e saj kushtetuese, neni 162 i Kushtetutës së Kosovës.

Prandaj, PDK-ja duhet t’u japë llogari qytetarëve për nismat dhe pazaret politike që kanë krijuar pritshmëri te elektorati i saj dhe te familjet e krerëve të UÇK-së. Nuk mund të premtohet zgjidhje pa u shpjeguar se si do të realizohet ajo juridikisht”, nënvizon ai.

Ai ka vlerësuar qëndrimin e LDK-së, pasi nuk është përfshirë në premtime të pabazuara, duke theksuar se çështja e ish-drejtuesve të UÇK-së kërkon seriozitet dhe transparencë, e jo propagandë politike. “LDK-ja, nëse nuk është përfshirë në këtë lojë të premtimeve dhe lajmeve të pabazuara, meriton të vlerësohet për qëndrimin e saj.

Çështja e çlirimtarëve kërkon seriozitet dhe transparencë, jo propagandë dhe shpresa të rreme për përfitime politik e”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Aliçkaj: Kosovën e mbron vetëm e vërteta Kurse, Agim Aliçkaj, Drejtor Ekzekutiv i Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ka deklaruar se asnjë parti politike, përfshirë PDK-në, nuk ka të drejtë ekskluzive ta përvetësojë trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Agim Aliçkaj Ai për “Bota sot” ka theksuar se liria e Kosovës erdhi si rezultat i rezistencës së popullit shqiptar, luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes vendimtare të NATO-s, të udhëhequr nga SHBA-ja. Aliçkaj ka shtuar se Gjykata Speciale nuk mund ta njollosë luftën e UÇK-së, duke nënvizuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë të pakthyeshme.

“ Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i shumë faktorëve, por mbi të gjitha i rezistencës shekullore të popullit shqiptar kundër pushtimit dhe shtypjes, e cila kulmoi në vitin 1999. Kulmin e kësaj rezistence e shënuan krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe lufta e saj heroike për liri.

Nuk besoj se ka shumë popuj të vegjël në botë që e kanë fituar lirinë vetëm me forcat e tyre. Çlirimi përfundimtar i Kosovës nga pushtimi serb u arrit me ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, pa rezistencën gjithëpopullore dhe luftën e UÇK-së, vështirë se do të kishte ndodhur ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit. Kjo luftë madhështore ka hyrë përgjithmonë në histori dhe nuk ka forcë në botë që mund ta njollosë atë. Këtë nuk e ka bërë dhe as nuk do të mund ta bënte, edhe sikur të dëshironte, Gjykata Speciale në Hagë.

Liria dhe pavarësia e Kosovës janë të pakthyeshme dhe të përjetshme. UÇK-ja është pjesë e pandashme e historisë dhe e popullit të Kosovës. Zhvillimi i demokracisë, forcimi i institucioneve dhe ndërtimi i shtetit janë vazhdimësi e përpjekjeve për liri dhe pavarësi. Asnjë parti politike, përfshirë PDK-në, nuk ka të drejtë ekskluzive ta përvetësojë trashëgiminë e UÇK-së.

Aq më pak mund të pretendojë se është e vetmja forcë që mund ta mbrojë atë ”, tha ai. Ai ka kritikuar krijimin e Gjykatës Speciale, duke ia atribuar PDK-së një pjesë të përgjegjësisë politike, por ka theksuar se proceset ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së duhet të përballohen përmes rrugëve ligjore dhe jo përmes presioneve politike apo veprimeve të kundërligjshme.

“Votimi për themelimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015 ishte gabim. Gabimi më i madh, sipas meje, ishte krijimi i një gjykate me juridiksion të përqendruar në raste që lidhen me pjesëtarë të UÇK-së, ndërkohë që një numër shumë i madh i kriminelëve serbë vazhdojnë të jetojnë të lirë në Serbi, pa u përballur me drejtësinë.

Përgjegjësia politike për këtë gabim i takon në masë të madhe PDK-së, udhëheqësit e së cilës, nuk patën guximin e nevojshëm për t’u përballur me presionin ndërkombëtar. Ata ndodheshin në rrethana të vështira politike dhe përballeshin me presione të shumta, të cilat ndikuan në vendimmarrjen e tyre. Megjithatë, Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë tashmë është realitet.

Edhe proceset gjyqësore kundër disa prej ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, janë realitet me të cilin duhet të përballemi në mënyrë serioze dhe të përgjegjshme. Ky realitet nuk mund të ndryshohet me veprime të kundërligjshme, presione të pamatura apo përplasje politike.

Nuk mund të ndryshohet as me deklarata boshe dhe pretendime të pabazuara, përfshirë ato të Edi Ramës dhe Richard Grenellit, të cilat, sipas vlerësimit tim, nuk kanë ofruar ndonjë zgjidhje konkrete juridike” – thekson ai. Ai ka kritikuar nismën e PDK-së për ndryshimet në funksionimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar të nxituar dhe me rrezik për pasoja politike.

Ai ka theksuar se drejtësia duhet të kërkohet përmes mjeteve ligjore, fakteve dhe provave, duke bërë thirrje për unitet politik dhe bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në. “Kërkesa dhe presioni i PDK-së për miratimin e Projektligjit për ndryshime në funksionimin e Gjykatës Speciale, ishin të nxituara dhe jo mjaftueshëm të analizuara.

Kjo mund të përbëjë një gabim tjetër politik të vendimmarrësve të kësaj partie. Mbetet e paqartë se cili është qëllimi i vërtetë i kësaj nisme: a synon ajo t’u ndihmojë realisht ish-udhëheqësve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Hagë, apo është pjesë e një strategjie për përfitime politike?

Sidoqoftë, nuk besoj se veprimet e tilla të PDK-së i ndihmojnë të akuzuarit apo çështjen e drejtësisë. Përkundrazi, ato rrezikojnë të prodhojnë zhgënjime të reja. Duket se kjo parti ende nuk ka nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e së kaluarës. Ajo ka nevojë për ndryshime të thella, për një frymë të re politike dhe për kuadro të reja, të afta, me integritet dhe të pakorruptuara.

Një aktgjykim i padrejtë mund të kundërshtohet dhe të rrëzohet vetëm përmes mjeteve juridike, me fakte, prova dhe argumente të qëndrueshme ligjore. Rruga e ankimit dhe mekanizmat e tjerë të paraparë me ligj janë instrumentet e duhura për të kërkuar drejtësi. Nuk ka rrugë tjetër të qëndrueshme.

Për këtë qëllim duhet të bashkohen të gjithë: pozita dhe opozita, institucionet shtetërore dhe të gjithë ata që besojnë në drejtësi dhe në vlerat e luftës çlirimtare. Padrejtësitë ndërkombëtare duhet të kundërshtohen me argumente, fakte dhe kërkesa të bazuara në ligj. Kosovën e mbron vetëm e vërteta.

Konfrontimi i panevojshëm me miqtë ndërkombëtarë, pa argumente të forta juridike, e dobëson shtetin dhe nuk është në interes të askujt, as të PDK-së dhe as të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Zgjedhja e Presidentes dhe konstituimi i plotë i institucioneve krijojnë mundësi të reja që Kosova të forcohet politikisht dhe institucionalisht, të rrisë autoritetin e saj ndërkombëtar dhe t’i paraqesë me më shumë peshë kërkesat e veta të drejta.

Kosova ka nevojë për unitet shtetëror, përgjegjësi politike, respektim të ligjit dhe bashkëpunim të sinqertë me aleatët e saj, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë rrugën e drejtë të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës ” – përfundoi ai për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot