Kamberi: Serbia ndan qindra miliona euro për serbët në Kosovë pa

0%

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës lidhur me fondet që Serbia ndan për serbët në Kosovë, duke akuzuar njëkohësisht autoritetet serbe për bllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Në një reagim të publikuar nga Koalicioni Shqiptar, Kamberi ka rikujtuar deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të bërë më në Kuvendin e Serbisë, kur kishte deklaruar se Serbia ndan çdo vit nga 700 deri në 820 milionë euro për Kosovën.

Sipas Kamberit, në atë deklarim nuk ishte sqaruar se cilat institucione apo subjekte i përfitojnë këto mjete dhe kush e mbikëqyr shpenzimin e tyre. Ai ka theksuar se shuma e saktë nuk ishte bërë e ditur dhe se jo të gjitha fondet kalonin përmes të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, duke ngritur pikëpyetje për destinacionin e pjesës tjetër të mjeteve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Nëse vlerësimet për 100–180 milionë euro për Zyrën për Kosovën dhe rreth 100 milionë përmes ministrive të tjera janë të sakta, ku përfundojnë qindra milionët e mbetur?”, ka pyetur Kamberi. Ai ka kërkuar që të bëhet publike se kush i përfiton këto fonde dhe kujt i raporton për mënyrën se si shpenzohen paratë publike.

Në anën tjetër, Kamberi ka akuzuar pushtetin serb se po bllokon fondet që Kosova ndan për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Sipas tij, bëhet fjalë për 129 projekte dhe katër programe që përfshijnë sigurimin e librave falas për fëmijët, praktikën profesionale, funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe aktivitetet e avokimit.

Deputeti shqiptar ka vënë në dukje atë që e konsideron si trajtim të pabarabartë: për fondet që Serbia ndan për serbët në Kosovë, sipas tij, nuk ofrohet transparencë e plotë publike, ndërsa financimi i projekteve konkrete për shqiptarët në Luginë pengohet.

“Për serbët në Kosovë kërkohet financim pa transparencë të mjaftueshme publike; për shqiptarët në Luginë pengohet edhe financimi i projekteve të identifikueshme”, thuhet në reagimin e Koalicionit Shqiptar. Në fund, Kamberi ka kërkuar transparencë për çdo euro të parasë publike dhe zhbllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Të drejtat e pakicave nuk mund të varen nga interesat politike të pushtetit”, thuhet në reagim, ku kërkohet që llogaritë të bëhen publike, fondet të zhbllokohen dhe barazia të zbatohet./Telegrafi.

Burimi: Telegrafi