Marta Kos kritikon Kosovën për ndryshimet në Ligjin për Specialen

0%

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka kritikuar Kosovën për vendimin e Kuvendit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke e cilësuar këtë vendim të papranueshëm. Ajo i ka bërë këto deklarata të hënën, në Luksemburg, para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, ku një nga temat e diskutimit është procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Kos ka thënë se ndryshimet në ligj janë në kundërshtim me obligimet që Kosova ka ndaj BE-së, si dhe me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit. “Do të doja të jem po ashtu e qartë se ndryshimet e ligjit për Dhomat e Specializuara nga ana e Kosovës shkojnë kundër obligimeve fundamentale të Kosovës ndaj BE-së. Dhe kjo është e papranueshme”, ka deklaruar ajo.

Komisionerja ka theksuar se ndryshimi i rregullave gjatë kohës kur proceset gjyqësore janë në vazhdim bie ndesh me standardet ndërkombëtare. “Të ndryshosh rregullat në kohën kur proceset në gjykatë janë në vazhdim e sipër është kundër çdo standardi ndërkombëtar të sundimit të ligjit”, ka thënë Kos.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ajo ka dërguar gjithashtu një mesazh për vendet e rajonit që synojnë anëtarësimin në BE, duke theksuar se respektimi i sundimit të ligjit dhe përmbushja e obligimeve janë thelbësore për përparimin në këtë proces. Sipas saj, vendet që bëjnë hapa prapa në përmbushjen e këtyre standardeve nuk po ndjekin rrugën e duhur drejt anëtarësimit.

Kos ka shtuar se, përveç sundimit të ligjit, vendet kandidate duhet të përshtaten edhe me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Ndërkohë, sipas saj, Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të mbyllin kapituj të rinj në negociatat e anëtarësimit, ndërsa Ukraina dhe Moldavia pritet të hapin kapituj të tjerë.

Kosova, Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Gjeorgjia, sipas komisioneres, vazhdojnë të jenë të bllokuara në procesin e zgjerimit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com