Autoritetet serbe ua kanë ndaluar hyrjen në Preshevë, të premten shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavcit, deputeteve Fatmire Kollçakut dhe Liza Gashit si dhe këshilltarit politik të kryeministrit, Ragmi Mustafit.
Njoftimin e ka bërë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila ka treguar se qëllimi i vizitës ishte t’i shprehnin ngushëllime kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, pas vdekjes së babait të saj.
Sipas saj, policia serbe i ndaloi në pikën kufitare dhe, pas më shumë se dy orësh pritjeje pa marrë ndonjë shpjegim, u njoftuan se nuk mund të vazhdonin rrugën dhe duhej të ktheheshin. Nagavci ka theksuar se bëhej fjalë për një vizitë private dhe njerëzore, pa asnjë agjendë politike, duke e cilësuar të papranueshëm veprimin e autoriteteve serbe.
“Bashkë me deputetet Fatmire Kollçaku dhe Liza Gashi, si dhe këshilltarin politik të Kryeministrit, Ragmi Mustafi, u nisëm sot drejt Preshevës për t’i shprehur ngushëllimet tona Kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me rastin e ndarjes nga jeta të babait të saj. Por, pushteti i Vuçiqit, përmes policisë, na ndaloi në pikën kufitare.
Pas më shumë se dy orësh pritjeje, pa asnjë shpjegim, na u komunikua se nuk na lejohej të vazhdonim rrugën dhe se duhej të ktheheshim. As ngushëllimet në një rast zie nuk i lanë jashtë politikës.
Një vizitë krejtësisht private, njerëzore dhe pa asnjë agjendë politike u pengua, duke na detyruar që ngushëllimet t’ia shprehnim në rrugë, pranë kufirit, ku Ardita erdhi së bashku me familjarët e saj për të na takuar” , ka shkruar Nagavci.
Ajo e ka cilësuar veprimin e papranueshëm, gjersa ka shtuar se për rastin do të informojnë autoritetet kompetente dhe institucionet e Bashkimit Evropian. Analistët shqiptarë në Preshevë e cilësojnë këtë veprim të shëmtuar dhe të pajustefikueshëm, gjersa kërkojnë që çështja e vizitave në Serbi të zgjidhet ashtu sikur ka gjetur zgjidhje çështja e targave.
“Vuçiq përdor kontrollin kufitar” Analisti Refik Hasani Analisti Refik Hasani, thotë se Serbia nuk e ka bërë herë për të parë një gjë të tillë. Sipas tij, ky qëndrim është në kundërshtim me parime e reciprocitetit. “Kjo nuk është diçka që për herë të parë Serbia, ndalon në kufi në hyrje të Serbisë, përfaqësues si nga Legjislativi, por edhe Ekzekutivi, nga Republika e Kosovës.
Kurse në anën tjetër, përfaqësues si nga Legjislativi, Ekezekutivi, por edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, Akademia, nga Republika e Serbisë, vazhdojnë pa ndalur dhe shumë shpesh vizitojnë Kosovën, gati pa asnjë ndalesë!!!
Nëse ju ndalohet hyrja e përfaqësuesve nga legjislativi, e Ekzekutivi, nga Republika e Kosovës të vizitojnë Krahinën e Preshevës, Medvegjës, Bujanocit, por edhe Krahinën e Sanxhakut dhe gjithë andej Serbisë, kjo do të duhej të vlen, pra t’ju ndalohet njëkohësisht vizita përfaqësuesve nga legjislativi, ekzekutivi, nga Republika e Serbisë, të vizitojnë Kosovën.
Reciprociteti në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe në vizita të ndërsjellta. Po, pajtohem plotësisht, se është një qëndrim në kundërshtim me parimet e reciprocitetit, nëse në Bruksel janë në vazhdim e sipas bisedimet, nëse kemi disa marrëveshje nën prezencë, monitorimin e ndërkombëtarëve, nëse Serbia, dhe mohon vizita nga lider institucional, atëherë me të njëjtin qasje do të duhej të sillet edhe Kosova të mohon e refuzon vizita nga Serbia, nuk duhet të vlen më shumë se reciprociteti” , deklaron Hasani për “Bota sot”.
Sipas tij, ky veprim dëshmon se pushteti i Aleksandar Vuçiqit po e përdor kontrollin kufitar si mjet politik ndaj përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, edhe në raste që nuk kanë karakter politik.
“ Po, qëndron se ky veprim nga pushteti i Aleksandar Vuçiqit, po e përdor kontrollin kufitar, pasi në Serbi tani është një fushatë e ashpër elektorale, për zgjedhjet që do të mbahen më 25 tetor të këtij muaji” , shprehet analisti. Ai kërkon që vizitat të rregullohen sikur është rregulluar çështja e targave.
“Mendoj se kjo do të duhej të rregullohet, sikur që janë rregulluar targat e automjeteve, mos pranimi i valutës së dinarit në tregun financiar të Kosovës, etj. Vetëm të baza të barabarta si subjekte shtetërore, në kuptimin reciprok mund të flasim për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në këto rrethana”, shton Hasani.
Tutje, sipas tij, BE duhet të mbajë qëndrim të drejtë dhe jo të zbatojë standard të dyfishta. “Bashkimit Evropian, do të duhet të mbajë një qëndrim të drejtë, dhe jo të zbatojë standarde të dyfishta, kur janë në pyetje, vizita e përfaqësuesve shtetëror të Serbisë në Kosovë, dhe anasjelltas.
Nëse Republika e Kosovës, lejon nga Republika e Serbisë, të vizitojnë Ministra, Kryeministri, Presidenti e Komisione të Parlamentit, duke përfshirë edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, pse ndalon Serbia që shqiptarët në Krahinën e Preshevës, Medvegjës, Bujanocit-të vizitohen nga krerët më të lartë e krerë të institucioneve nga Kosova, kjo është pyetje që ju përket Bashkimit Evropian”, përfundon analisti për “Bota sot”.
“Akt i shëmtuar” Analisti Nehat Hyseni Ndërsa, të papranueshëm dhe incident serioz e quan ndalimin nga autoritetet serbe, analisti Nehat Hyseni. Hyseni në një prononcim për “Bota sot”, thotë se ky veprim është i shëmtuar dhe i pajustifikueshëm.
“Ndalimi i shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deputeteve Fatmire Kollçaku dhe Liza Gashi, si dhe këshilltarit politik Ragmi Mustafi, nga autoritetet kufitare serbe, më , derisa po udhëtonin drejt Preshevës për t’i shprehur ngushëllime kryetares së Komunës, Ardita Sinani, për vdekjen e babait të saj, është një incident serioz dhe i papranueshëm, me domethënie të qartë politike.
Sipas deklarimeve publike të pjesëmarrësve, delegacioni u mbajt për më shumë se dy orë në pikën kufitare të Depcës, pa marrë një shpjegim të qartë për ndalimin. Më pas, atyre iu komunikua se nuk mund të vazhdonin udhëtimin drejt Preshevës. Për pasojë, ngushëllimet u përcollën pranë kufirit, ku Ardita Sinani shkoi së bashku me familjarët e saj për t’i takuar.
Ky veprim i autoriteteve kufitare serbe është i shëmtuar dhe i pajustifikueshëm, veçanërisht për faktin se bëhej fjalë për një vizitë me karakter njerëzor, në një moment zie familjare.
Është e rëndë kur autoritetet shtetërore nuk tregojnë as minimumin e respektit për një akt të tillë, duke e vënë në pikëpyetje edhe zbatimin e parimeve themelore të lirisë së lëvizjes dhe të trajtimit të barabartë” , deklaron Hyseni. Sipas tij, kontrolli kufitar nuk duhet të shndërrohet ne instrument arbitrar të pushtetit administrativ.
Ai shton se kjo ndodhë për shkak se Serbia nuk përfillë fare BE-në dhe se ajo mundohet të mbahë dy karrige. “Natyrisht, Serbisë nuk mund t’i mohohet e drejta për të kontrolluar kufijtë e saj. Çdo shtet ka të drejtë dhe detyrim të zbatojë ligjet e veta. Por kontrolli kufitar nuk duhet të shndërrohet në instrument arbitrar të pushtetit administrativ.
Çdo vendim që kufizon lirinë e lëvizjes duhet të ketë bazë të qartë ligjore, të shoqërohet me arsyetim të kuptueshëm dhe të jetë i kundërshtueshëm përmes procedurave përkatëse.
Kjo ndodhë për shkak se Serbia nuk e ka dert dhe nuk e përfillë fare Unionin Europian (BE-në) dhe mbahet në dy karrige: edhe me Rusinë edhe me BE-në dhe Amerikën-sidomos kohëve të fundit”, p ërmbylli Nehat Hyseni për “Bota sot”.
