Zelensky konfirmon urdhrat për armëpushim energjetik, Rusia ende pa

0%

Presidenti ukrainas thotë se Kievi është i gatshëm të ndalë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, ndërsa kërkon që edhe Moska t’i respektojë zotimet Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se Forcat e Armatosura ukrainase kanë marrë urdhrat përkatës për zbatimin e një armëpushimi në sektorin energjetik, pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord të ndalin sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.

Zelensky ka deklaruar se Ukraina e mirëpret këtë nismë, duke theksuar se Kievi mbështet çdo përpjekje që mund të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe përfundimin e luftës.

“Ne e mirëpresim një marrëveshje të tillë” , ka deklaruar presidenti ukrainas, duke bërë të ditur se vendi i tij është i gatshëm të ndalë sulmet ndaj objekteve energjetike ruse, me kusht që edhe Moska të veprojë në mënyrë reciproke. “Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë marrë të gjitha urdhrat përkatës. Ne po e mbrojmë Ukrainën”, ka thënë Zelensky.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai ka theksuar se Kievi pret sqarime konkrete nga dialogu ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, si dhe zbatimin e zotimeve të bëra nga presidenti rus, Vladimir Putin. Ndërkohë, Kremlini ende nuk ka dhënë një përgjigje të qartë lidhur me armëpushimin e paralajmëruar.

Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, është fokusuar te tregtia e karburanteve ruse, duke deklaruar se kërkesa për naftën dizel në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë. “Rusia nuk do të ketë probleme me shitjen e karburantit dizel në tregjet botërore, kërkesa është e madhe”, ka deklaruar Peskov.

Nga ana e tij, Zelensky ka përsëritur se Ukraina dëshiron paqe, por ka ngritur pikëpyetje lidhur me gatishmërinë e Moskës për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi në sektorin energjetik synon të kufizojë dëmet ndaj infrastrukturës kritike, e cila ka qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve gjatë luftës, si dhe të zvogëlojë pasojat për popullsinë civile.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse nisma do të zbatohet në terren dhe nëse të dyja palët do t’i respektojnë zotimet për ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike.

Burimi: Bota Sot