Kosova do të përballet me mot të ndryshueshëm gjatë kësaj jave me vranësira, intervale me diell dhe reshje shiu, të cilat pritet të jenë më të theksuara të martën dhe të premten.
Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të pësojnë luhatje gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe verilindja, me intensitet të ulët deri mesatar. Sot moti do të jetë kryesisht i vranët, me intervale kohore me diell.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 6 deri në 9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 13 deri në 18 gradë. Të martën, priten reshje shiu dhe mot kryesisht i vranët. Temperaturat minimale do të jenë nga 5 deri në 9 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 7 deri në 12 gradë, duke shënuar rënie të ndjeshme të temperaturave gjatë ditës.
Të mërkurën, moti do të mbetet i vranët, me intervale të herëpashershme me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 10 deri në 14 gradë. Për të enjten, parashikohet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të jenë nga 4 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 16 deri në 19 gradë.
Ndërkaq, të premten, moti do të karakterizohet nga dielli dhe vranësirat e ndryshueshme. Gjatë ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat mund të sjellin reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 12 deri në 15 gradë.
Reshjet pritet të ndihmojnë bujqësinë Sipas vlerësimit agrometeorologjik, reshjet e shiut gjatë kësaj periudhe pritet të kenë ndikim pozitiv në bujqësi, veçanërisht në lagështimin e tokës dhe plotësimin e nevojave ujore të kulturave bujqësore.
Ato mund të krijojnë kushte më të favorshme për mbirjen dhe zhvillimin fillestar të grurit dhe kulturave të tjera vjeshtore, si dhe të ndihmojnë në rimbushjen e rezervave ujore dhe përmirësimin e kushteve për kullota e vegjetacionin natyror. Megjithatë, ndikimi i reshjeve do të varet nga sasia dhe shpërndarja e tyre.
Në zonat ku priten reshje më intensive, rekomandohet kujdes ndaj grumbullimit të ujit dhe erozionit të mundshëm të tokës. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës vlerëson se kushtet e parashikuara mund të jenë të favorshme për vazhdimin e punëve sezonale në bujqësi, përfshirë mbjelljen e grurit dhe kulturave të tjera vjeshtore, aty ku lagështia dhe gjendja e tokës e lejojnë këtë.
