Shpëtohen dy bjeshkatarë çekë të bllokuar nga moti i keq në majën e

0%

Dy bjeshkatarë nga Republika Çeke janë shpëtuar të dielën në majën e Piribregut, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi kishin mbetur të bllokuar për shkak të motit të keq dhe mjegullës.

Sipas njoftimit të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK), dy bjeshkatarët, N.F. (1986) dhe K.M. (2004), kishin qëndruar që nga dita e shtunë në një strehimore në lartësinë 2.524 metra mbi nivelin e detit. Meqë kushtet atmosferike nuk ishin përmirësuar dhe mjegulla ua kishte pamundësuar orientimin, ata kishin kërkuar ndihmë për shpëtim.

Thirrja emergjente ishte përcjellë fillimisht te Agjencia e Menaxhimit Emergjent të Kosovës nga Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza e Rajonit të Pollogut, në Maqedoninë e Veriut. Pas pranimit të informacionit, ShKShMK aktivizoi ekipin e shpëtuesve malorë, të cilët, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Stacionin Policor në Shtërpcë, arritën te dy bjeshkatarët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pas vlerësimit të gjendjes së tyre dhe ofrimit të ndihmës së parë, ata u evakuuan deri në Qendrën e Skijimit në Brezovicë. Operacioni i shpëtimit zgjati katër orë nga momenti i pranimit të thirrjes emergjente. Më pas, dy shtetasit çekë u transportuan në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë dhe iu dorëzuan Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejshme.

ShKShMK ka vlerësuar se njoftimi me kohë dhe koordinimi ndërmjet institucioneve mundësuan përfundimin me sukses të operacionit. Njëkohësisht, shërbimi u ka bërë thirrje bjeshkatarëve që, para nisjes për në zonat malore, të kontrollojnë parashikimin e motit, të vlerësojnë sigurinë e itinerarit dhe t’i përshtatin planet me kushtet në terren.

Burimi: Telegrafi