Mickoski dhe bota e “patriotizmit të eshtrave të Samoilit”

0%

Në Shkupin e vjetër, ku shteti nuk ndërtohet me ekonomi e rrugë, por me përralla e mitologji, kryeministri Hristijan Mickoski ka gjetur profesionin e tij të vërtetë: historian folklorik i shekullit të X-të.

Është vërtet magjepsëse të shohësh se si një qeveri e tërë, në vend që të merret me integrimin evropian, me hapjen e kapitujve apo me rritjen e rrogave të qytetarëve që po ikin nga vendi, e ka kthyer zyrën kryeministrore në një sallë kinemaje ku shfaqen filma mediatikë me mbretër të vdekur e me beteja mesjetare.

Mickoski ka zbuluar një doktrinë të re gjeniale të zhvillimit: “Patriotizmin e Eshtrave”. Pse t’i lodhim trutë me projekte kapitale si Korridori 8 apo me plotësimin e kushteve të BE-së, kur mund të grindemi çdo ditë me Bullgarisë për identitetin e Car Samoilit?

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në fund të fundit, për Mickoskin është shumë më e rëndësishme që Car Samoili të shpallet “maqedonas me tapi” nëpër tekste shkollore, sesa që qytetarët e gjallë të kenë një të ardhme evropiane. Kjo nuk është politikë shtetërore, kjo është thjesht një lojë inatesh nacionaliste për të mbajtur popullin me “bukë dhe cirk”.

Dhe ndërsa radarët e integrimit janë fikur plotësisht nga inatet ndaj fqinjëve, radarët e drejtësisë së brendshme funksionojnë mediatikisht me të njëjtën mendësi të vjetër të përbuzjes. Kur studentët dhe juristët shqiptarë protestojnë në Shkup sepse u mohohet e drejta kushtetuese për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare, Mickoski u kërkon “durim administrativ”.

Po ashtu, kur Gjykata Kushtetuese bën gati gërshërët për të copëtuar Ligjin për Gjuhët, qeveria e tij bën sikur nuk shikon. Për Mickoskin, barazia e shqiptarëve që e ndërtuan dhe e mbajnë gjallë këtë shtet, është thjesht një detaj i bezdisshëm që prish rehatinë e nacionalizmit folklorik sllav. Por historia na ka mësuar se shtetet nuk mbahen me mite të vona e me ksenofobi stadiumesh.

Derisa kryeministri merret me luftëra imagjinare kundër historisë së pastër dhe konsensusit ndërkombëtar, realiteti po ia zë rrugën. Stabiliteti i një shteti nuk vjen nga eshtrat e mbretërve të kaluar, por nga drejtësia për njerëzit e gjallë.

Është koha që Mickoski të zbresë nga kalaja e përrallave mesjetare dhe të kuptojë se pa barazi të plotë dhe pa respekt ndaj fqinjëve dhe shqiptarëve, shteti i tij do të mbetet thjesht një banovinë e izoluar e inateve të veta.

Burimi: Bota Sot