Mikel Arteta insiston se Premierliga mbetet kampionati më i mirë në botë, pavarësisht se Manchester City është shpallur fajtor për shkeljen e rregullave financiare. Trajneri i Arsenalit iu shmang pyetjeve rreth sanksioneve të mundshme, por vlerësoi klubet e tjera për rritjen e konkurrueshmërisë në kampionat.
City po përballet aktualisht me sanksione të rënda, pasi një komision i pavarur e shpalli klubin fajtor për shkeljen e 114 rregulloreve financiare. Akuzat lidhen me një periudhë nëntëvjeçare, nga viti 2009 deri në vitin 2018. “Cityzens” po e apelojnë aktivisht vendimin e rëndë.
Nëse ankesa e tyre dështon, ata mund të përballen me gjoba të mëdha financiare apo edhe me përjashtim të plotë nga Premierliga. Në mes të reagimeve pas këtij vendimi, trajneri i Arsenalit, Arteta, u pyet për mendimin e tij rreth kësaj situate. Spanjolli ka punuar më parë në stadiumin Etihad, ku fitoi dy tituj të kampionit si ndihmës i ish-trajnerit Pep Guardiola.
Arteta nënshkroi një kontratë të re katërvjeçare në fillim të kësaj jave, duke u bërë trajneri me qëndrimin më të gjatë në detyrë në elitën e futbollit anglez, pas largimit të fundit të Guardiolës. Kur u pyet nëse reputacioni i kampionatit ishte dëmtuar tashmë nga vendimi që e shpalli Cityn fajtor, trajneri i Arsenalit zgjodhi t’i shmangej polemikave.
“Ekziston një proces që ende nuk ka përfunduar, është në vazhdim dhe mendoj se mund të kemi një opinion shumë më të qartë pasi të zgjidhet çështja”, shpjegoi Arteta, sipas “ESPN”. “Deri më tani, nuk jam i gatshëm të bëj asnjë koment”, shtoi ai. I pyetur nëse sukseset e tij të mëparshme te City ishin njollosur, ai shtoi: “E kuptoj se nga buron kjo pyetje.
Ka shumë zhurmë rreth kësaj çështjeje, procesi është ende në vazhdim dhe nuk ka përfunduar, prandaj mendoj se duhet ta respektojmë atë”> Pavarësisht polemikave të mëdha që rrethojnë ish-klubin e tij, Arteta beson fuqishëm se statusi i Premierligës është i pakontestueshëm. Ai ishte i prerë kur u pyet nëse elita e futbollit anglez vazhdon të jetë kampionati më i mirë në botë.
“100 për qind”, deklaroi Arteta. “Sipas mendimit tim, është kampionati më i mirë në botë, po, për shumë arsye. Gjithashtu, sepse kam qenë këtu për më shumë se 20 vjet dhe do të vazhdojë të jetë kampionati më i mirë në b otë”, e mbylli ai.
