Vllaznia nuk di as të fitojë, as të reagojë

0%

Vllaznia e këtij fillimsezoni ka shfaqur disa probleme të dukshme në fushën e lojës, por një prej tyre që bie më shumë në sy është pamundësia për të menaxhuar avantazhin.

Shkodranët ende nuk kanë shijuar asnjë fitore në pesë javët e para të kampionatit, duke grumbulluar vetëm dy pikë, ndërsa mungesa e qetësisë për të administruar ndeshjet ka qenë një faktor i rëndësishëm në këtë start zhgënjyes. Dy javët e para e treguan qartë këtë problem.

Përballë Skënderbeut, kuqeblutë ishin në avantazhin e dy golave dhe në fund u detyruan të kënaqen me një barazim 2-2, duke lënë t’u shpëtojë nga duart një fitore që dukej e sigurt. E njëjta situatë u përsërit edhe ndaj Elbasanit, ku Vllaznia kaloi në avantazh 0-1, por nuk arriti ta ruajë deri në fund dhe mori vetëm një pikë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pra, në dy ndeshjet e para kuqeblutë patën mundësinë të merrnin gjashtë pikë, por në fund siguruan vetëm dy. Në të dyja rastet, skuadra nuk arriti të menaxhojë epërsinë dhe të ruajë rezultatin pozitiv deri në vërshëllimën finale. Një problem që tregon jo vetëm mungesë përqendrimi, por edhe vështirësi për të kontrolluar ritmin e ndeshjes në momentet kur rezultati është në favor.

Ndërkohë, në tre takimet e tjera ndaj Partizanit, Laçit dhe Teutës, situata ka qenë krejtësisht e ndryshme. Vllaznia është gjendur në disavantazh dhe nuk ka arritur të reagojë për ta përmbysur situatën.

Kështu, në pesë javët e para është krijuar një lloj mosbalance në performancën e skuadrës: kur ka qenë në avantazh, nuk ka ditur ta mbajë, ndërsa kur ka qenë në disavantazh, nuk ka gjetur forcën për të rikthyer ndeshjen. Ky është një prej elementëve që trajneri i ri Çaba Laszlo do të duhet të korrigjojë gjatë kësaj periudhe.

Tre javët e pushimit të kampionatit i kanë dhënë kohë teknikut hungarez të punojë me grupin dhe të analizojë gabimet e shfaqura në pesë javët e para. Menaxhimi i rezultateve, reagimi në momentet e vështira dhe ruajtja e përqendrimit deri në fund pritet të jenë ndër pikat kryesore të punës. Tashmë, rikthimi në kampionat këtë të diel do të jetë një tjetër provë për Vllazninë.

Përballë Dinamos, shkodranët do të kërkojnë fitoren e parë të sezonit, por mbi të gjitha do të duhet të tregojnë nëse gjatë këtyre tri javëve kanë arritur të korrigjojnë deficitet e shfaqura në start.

Sfida do të japë një përgjigje të parë nëse periudha e ndërprerjes ka shërbyer për të ndryshuar mentalitetin dhe për ta bërë skuadrën më të aftë për të menaxhuar momentet vendimtare të ndeshjeve.

Burimi: Bota Sot