Presidenti Begaj dekoron me urdhrin “Komandar i Urdhrit Suprem të

0%

Presidenti Bajram Begaj, priti në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave Senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilët i dekoroi me titullin e lartë “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”. Senatorët shoqëroheshin në këtë takim nga Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Eric Wendt.

Në takimin me Senatorët amerikanë, Presidenti i Republikës vlerësoi partneritetin strategjik dhe aleancën e qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbështetur në vlera të përbashkëta demokratike dhe angazhimin për sigurinë Euroatlantike.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Shqipërisë në proceset e integrimit Euroatlantik, forcimit të institucioneve demokratike, reformës në drejtësi dhe rritjes së kapaciteteve mbrojtëse.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe, gjithashtu, rëndësinë e pranisë dhe angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe perspektivës Euroatlantike të rajonit, si dhe kontributin e tyre në sigurinë e Kosovës përmes misionit të KFOR-it.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua Bordit të Paqes, ku Shqipëria mbështet nismat ndërkombëtare që synojnë dialogun dhe bashkëpunimin. “Bashkëpunimi i shkëlqyer politik krijon mundësi për konkretizim të bashkëpunimit në fusha, si: energjia, investimet, mbrojtja, mbrojtja kibernetike dhe infrastruktura”, – u shpreh Presidenti Begaj.

Gjatë ceremonisë së dekorimit Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e veçantë të senatorëve amerikane në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin euroatlantik të Shqipërisë, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Begaj nënvizoi gjithashtu mbështetjen e senatorëve për Nismën “ Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, e konkretizuar në ligj dhe që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik, demokratik dhe institucional në rajon. Presidenti i Republikës u akordoi të dy senatorëve dekoratën “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”.

Ceremonia rikonfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe mirënjohjen e shtetit shqiptar për personalitetet që kanë kontribuar në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.

Burimi: Bota Sot