Sir Alex Ferguson vazhdon të pendohet për një mundësi që mund të kishte ndryshuar historinë e futbollit anglez. Në vitin 2012, në Nju Jork, ish-trajneri i Manchester United u takua me Pep Guardiolën, i cili kishte fituar trofe të shumtë me Barcelonën dhe po përgatitej të zgjidhte Bayern Munich si destinacionin e radhës.
Në librin e tij të ri, “Games of My Life”, Ferguson rrëfen atë takim dhe pranon se duhej të kishte vepruar më herët për ta bindur trajnerin spanjoll të merrte drejtimin e United.
“Duhej të kisha pasur edhe disa muaj kohë për ta bindur të zgjidhte Manchesterin e kuq”, – është thelbi i pendesës së Fergusonit, i cili me humor pranon se do t’i kishte shërbyer “Tignanello me bollëk” (verë e kuqe prestigjioze italiane) për ta bindur Guardiolën të shkonte tek United. Por historia mori një drejtim tjetër.
Në vitin 2013, Guardiola u transferua në Gjermani, ndërsa Ferguson i dha fund karrierës në stolin e United, duke ia lënë drejtimin David Moyes. Disa vite më vonë, Guardiola mbërriti në Premier League, por te rivalët e Manchester City, me të cilët ndërtoi një nga skuadrat më dominuese në historinë e futbollit anglez.
Në librin e tij, Ferguson shpreh edhe vlerësimin e madh për Guardiolën, duke theksuar se spanjolli diti ta shndërronte përvojën e fituar pranë trajnerëve si Johan Cruyff, Bobby Robson dhe Louis van Gaal në një karrierë të jashtëzakonshme, të nisur që në moshë të re.
