LEX | Nuk u provua pjesëmarrja në ISIS – Apeli vërteton lirimin e

0%

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka vërtetuar lirimin e Blerim Sylës nga akuza për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, duke refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale. Sipas gjykatës, provat e pranueshme nuk e kanë vërtetuar pjesëmarrjen e tij në veprimtaritë e organizatës terroriste ISIS. Mbrojtjen e Sylës në këtë çështje e ka përfaqësuar avokati Besnik R.

Berisha, i cili kishte kërkuar refuzimin e ankesës së Prokurorisë dhe vërtetimin e aktgjykimit lirues. Me vendimin në rastin APS.nr.31/2025, të marrë më , Apeli la në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 10 prillit 2024.

Përveç lirimit nga akuza për pjesëmarrje në grupe terroriste, Themelorja kishte refuzuar akuzën për armëmbajtje pa leje për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale. Prokuroria Speciale kishte kërkuar që Syla të shpallej fajtor ose çështja të kthehej në rigjykim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ajo pretendonte se ai kishte udhëtuar drejt Sirisë, ishte stërvitur me armë dhe kishte marrë pjesë në luftime në kuadër të ISIS-it. Një nga çështjet kryesore të shqyrtuara nga Apeli ishte përdorimi i transkripteve të SMS-ve, mbi të cilat Prokuroria mbështeste një pjesë thelbësore të pretendimeve të saj.

Këto transkripte ishin shpallur prova të papranueshme nga Themelorja, e cila kishte konstatuar se mënyra retroaktive e sigurimit të tyre kishte cenuar të drejtën e Sylës për privatësi. Apeli e pranoi këtë vlerësim. “Gjykata nuk mund ta mbështesë vendimin e saj në prova të papranueshme”, rikujtoi kolegji në arsyetim.

Sipas Apelit, Prokuroria nuk kishte paraqitur kundërshtime konkrete ndaj arsyeve për përjashtimin e transkripteve, por kishte vazhduar t’i mbështeste pretendimet në përmbajtjen e tyre. Në përgjigjen ndaj ankesës, avokati Besnik R.

Berisha kishte kundërshtuar përdorimin e këtyre materialeve dhe kishte argumentuar se provat e tjera nuk dëshmonin bashkimin e Sylës me ISIS-in apo pjesëmarrjen e tij në luftime. Apeli konstatoi se udhëtimi i Sylës nga Prishtina drejt Stambollit nuk ishte kontestues.

Megjithatë, të dhënat për lëvizjet kufitare dhe përdorimin e numrave telefonikë nuk provonin se ai kishte arritur në Siri apo ishte përfshirë në veprimtaritë e grupit terrorist. Gjykata shqyrtoi edhe materialet e gjetura në pajisjet elektronike, përfshirë kërkime për armë, eksplozivë dhe grupe ushtarake.

Sipas kolegjit, këto dëshmonin hulumtime dhe përgatitje lidhur me luftën, por nuk përmbanin të dhëna që i lidhnin ato veprime me ISIS-in. Po ashtu, fotografitë e personave të armatosur në dosje u përkisnin të akuzuarve të tjerë dhe jo Blerim Sylës. Apeli trajtoi edhe pranimin e mëparshëm të fajësisë, duke mos u pajtuar me të gjitha arsyetimet e Themelores për këtë çështje.

Kolegji konstatoi se në procesverbalin e vitit 2015 ishte shënuar deklarimi i vetë Sylës për pranimin e fajësisë dhe vendimi që e aprovonte atë. Megjithatë, ky pranim nuk ishte pasuar me shpalljen e aktgjykimit. Pas arrestimit dhe sigurimit të pranisë së tij, shqyrtimi gjyqësor kishte filluar rishtazi para një trupi tjetër gjykues, ku Syla nuk e kishte pranuar fajësinë.

Apeli vlerësoi se përfundimi për përgjegjësinë penale duhej të mbështetej në tërësinë e provave, përfshirë deklarimin e mëparshëm dhe shpjegimet për të. Gjykata theksoi gjithashtu se largimi i Sylës nga Kosova dhe arrestimi i tij i mëvonshëm nuk e provonin vetvetiu kryerjen e veprës penale dhe nuk e plotësonin mungesën e provave për pjesëmarrje në ISIS.

Përfundimisht, kolegji i përbërë nga Vaton Durguti, kryetar, dhe Mentor Bajraktari e Afërdita Bytyci, anëtarë, vlerësoi se lirimi nga akuza ishte i drejtë dhe i ligjshëm. LEX | Drejtësia nga Sinjali Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com