Sa dritare e bukur!

0%

Nga: Gjovalin Shkurtaj Shpërndaje në: Prurje të reja e kahe të mbara poetike e stilistike të vëllimit “Dritare e hapur” – Poezi për fëmijë e të rinj nga Xhevat Syla Me poetin e studiuesin Xhevat Syla jemi njohur shpejt e jemi miq të kahershëm. Më shpesh shihemi në Durrës, ku ai vjen gjatë verës, fundjavave dhe për plazh.

Si gjithmonë i kujtueshëm e i vyeshëm, më sjell si dhuratë botimet e tij më të reja. Dhe, në fakt, disa prej çasteve më të këndshme që përjetoj kur shkoj në Durrës për verim, janë takimet me Xhevat Sylën e me miq nga Kosova.

Qysh kur kam dalë në pension dhe në Kosovë nuk shkoj më si dikur që shkoja shpesh për ekspedita gjuhësore e për tubime e konferenca shkencore, stina e verës më sjell gëzimin e takimit me poetë, studiues e dashamirë nga Kosova, si dhe nga Maqedonia e Veriut e nga diaspora.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dikur Xhevati me Ibrahim Kadriun vinte te Hotel “Elba” ose te “Belconti” (gati të gjitha hotelet kanë emra të huaj, nuk di a gjendet ndonjë shqiptar?!), ku vinin disa miq të tjerë nga Kosova, si Agim Vinca, Nexhat Maloku, Muharrem Gashi, si dhe çifti Basil Schader me zonjën Erica nga Zvicra, të mirënjohur për ndihmesat e tyre për LAPSH-në “Naim Frashëri” si mbështetës, metodistë e autorë studimesh me vlerë pedagogjike e për mësimdhënien e shqipes në orët e mësimit plotësues në diasporën shqiptare të Zvicrës.

Tashti Xhevati ka një banesë afër zonës ku rri dhe unë, afër hotel “Diamma”, kështu që shihemi e “kuvendojmë”. Nganjëherë bëhet dhe “bylyku” i madh, sepse për t’u takuar me Xhevatin vijnë edhe poetesha Shpresa Kapisyzi me të shoqin, Esat Ramën e me të bijën Edlirën, edhe ajo poeteshë e re.

Aty shiheshim dhe me të ndjerin profesor Astrit Bishqemi, shkrimtar e studiues i mirënjohur i letërsisë për fëmijë e të rinj. Po edhe me shkrimtarë e miq të tjerë, sidomos me të ndjerët Gjergj Vlashi e Nikolla Spatharin, shokun e rinisë sime nga Malësia e Madhe, që vitet e fundit kishte ardhur me banim në Durrës.

Gjithmonë, në fillim të stinës së verës, qysh në pikë të mëngjesit Xhevat Syla më vjen me ndonjë nga librat e tij të rinj. Më datën 30 maj, kur u pamë për kafen e mëngjesit, ai, si përherë, bashkë me fjalët e tij të ëmbla e kumtet sipas pyetjes veriore: “Çka thojnë?”, na solli librin e tij “Dritare e hapur” – Poezi për fëmijë e të rinj.

Sipas zakonit tim të hershëm e si “qejfli librash”, duke pirë kafen, ndërsa flisnim, e shfletova me kureshtje dhe, më ëndje, gjeta aty një dritare të hapur bukuraza në një tematikë të përzgjedhur mirë, me krijime të freskëta e të bukura, me theksa të rëndësishëm për nga tematika, po edhe me risi e ligjërim të hijshëm stilistikisht, po edhe të lëmuar gjuhësisht me shumë kujdes, natyrisht edhe me shtigje për togfjalësha e prurje nga ligjërimi i folur qytetar e nga të folmet e krahinës.

Autori është me zanafillë nga Istogu i Pejës dhe, së andejmi, buron edhe një rrjedhë leksikore e tematike, duke nisur me Kullën, tashmë edhe si simbol të rrënjëve e qëndresës së shqiptarëve. Natyrisht, sipas urtakes së kohëve tona: disa prurje të zgjedhura nga dialektet e të folmet popullore i bëjnë mirë edhe ligjërimit poetik, ashtu si kripa e piperi në gatimet e mjeshtërve të kuzhinës.

Para se të ulesha për ta lexuar me nge, pa bjerrë kohë, e kalova vëllimin në “indikator” si elektricistët për të parë a ka rrymë. Ia dërgova mbesës sime, Martinës, që sapo ka mbaruar shkollën e mesme dhe që, kur ishte këtu gjatë verës, Xhevati ia dhuronte nga një kopje të antologjisë tij të poezisë shqipe për fëmijë dhe të rinj “Kuvendim poetik” dhe ajo i lexonte dhe i pëlqenin.

“Martina e Tushit, sot pimë kafe me poetin kosovar, Xhevat Syla, më solli librin e tij më të ri ‘Dritare e hapur’ poezi për fëmijë e të rinj. Paska vjersha të bukura, ashtu si e ka zakon miku im. Po t’i dërgoj dy prej tyre: një për gjuhën e nënës e tjetra për Flamurin.

Të tjerat do t’i lexojmë bashkë kur të vish.” Dhe Martina, mbas pak, ma ktheu: “Po e njoh Xhevatin, shumë të veçanta të dyja, sidomos ajo për gjuhën që na e mëson nëna.” I trimëruar dhe nga vlerësimi i Martinës, mbasi e lexova librin më ngadalë e duke ia lexuar me zë dhe Norës, e cila si ish-mësuese letërsie ka dhe një gjykim më profesional për poezinë, i nisa mikut tim një kumt me watsup: “Xhevat i dashur, Libri më pëlqeu, dua të shkruaj diçka për të, por për sherr, nuk po e montoj dot kompjuterin, por do të bëj çmos ta kryej, qoftë edhe nga celulari.” Me shumë mirësjellje poeti, miku im fjalëmjaltë, ma ktheu: “Të falënderoj dhe më gëzon shumë vlerësimi juaj, Profesor i dashur, edhe pse më vjen keq të merrni mundimin.

Edhe kjo që më erdhi si vlerësim juaj dhe i Martinës më gëzoi pa masë.” Libri “Dritare e hapur” na vjen në dorë si një vëllim i hajthëm në dukje, ashtu si vocërrakët deri sa marrin këmbë, ka një tematikë jo vetëm të bukur, po edhe të rëndësishme e me theksime atdhedashëse e shqiptaripohuese.

Mjafton të themi se çelet me poezinë “Gjuha e nënës”, që jo vetëm mua si gjuhëtar, po edhe kujtdo që i thotë vetes shqiptar, ato tri strofa me dymbëdhjetë rreshta gjithsej, janë sa për njëqind vjersha, sepse shkojnë në shtratin e bukur të atij lumi të gjerë me shfrime dashurie për gjuhën shqipe, të nisur nga autorët e vjetër e nga yjësia e Rilindasve, me Naimin në ballë, që aq ëmbël ia lëvdojnë hiret shqipes sonë, pasurisë më të madhe të shqiptarëve, treguese e dëshmuese e shqiptarisë.

Xhevat Syla shkon po në atë hulli të etërve të poezisë shqiptare gjuhëlëvduese, por duke iu qasur togfjalëshit të vyer etnolinguistik e sociolinguistik: “Gjuha e nënës “.

Se, pa dyshim, sidomos në kohën e sotme, në plojën e shkaktuar nga mërgimi i shqiptarëve në vende të tjera, po edhe nga trysnia e anglishtes dhe gjuhëve të huaja të tjera në kuadrin e globalizmit e të globalizimit, mund të themi se më tepër se kurrë duhet vlerësuar roli i familjes dhe mbi të gjitha i nënave për ruajtjen e gjuhës shqipe.

Jo vetëm në diasporë e në bashkësitë e të shpërngulurve së voni, po edhe në trojet amtare. Kam shkruar disa herë për “epideminë gjuhëvrasëse” që na kërcënon çdo ditë, duke ua çelur derën jo vetëm termave e fjalëve të huaja të nevojshme, po edhe vërshimit të aq shumë fjalëve të huaja të panevojshme, shpesh edhe të pakuptueshme.

Dhe, duke e lexuar e rilexuar poezinë “Gjuha e nënës” më erdhi në mendje një ide: pse të mos bëhet dhe një antologji e poezive për gjuhën shqipe, duke ua vënë në dorë fëmijëve e të rinjve. Siç ka bërë para njëzet vitesh botuesi Mehmet Gëzhilli me antologjinë “100 poetë për Naimin”.

Uroj që kjo ide t’i pëlqejë poetit e mikut tim Xhevat Syla, i cili është personi më i përshtatshëm e që mund ta kryejë më së miri gatitjen e një përmbledhjeje antologjike kësodore. Vëllimi ka dhe poezi të tjera shumë tërheqëse, të zgjedhura e të krahishtuara në katër sytha sipas tematikës: Kalaja e dijes. Dimri i fëminisë. Këngë për kullën. Zhgjëndërrim.

Libri “Dritare e hapur” natyrisht jo vetëm vjen mbas “Kuvendim poetik” (antologji e poezisë shqipe për fëmijë, Prishtinë, 2010) po dhe ndjek tipologjinë e hartimit metodik të përshtatshëm e të atillë që të rroket sa më mirë nga fëmijët e të rinjtë.

Xhevat Syla ka filluar të shkruajë qysh në moshë të re, ka botuar një mal me libra me poezi dhe studime të ndryshme, me tematikë të larmishme, pa harruar asnjëherë se fëmijët e të rinjtë kanë nevojë t’ua kujtojmë gjithmonë historinë e atdheut, të Kosovës e të rrugës historike të gjatë e të mundimshme deri te e sotmja, t’u flitet për armiqtë dhe miqtë e shqiptarëve, prandaj në libër, me të drejtë, autori ka sjellë poezi me frymë atdhetare, natyrisht të reja e të pëpajnuara me kujdes si vreshtarët e mirë pipat e hardhive.

Ai, si baba e tashmë edhe si gjysh, që sapo i ka mbushur shtatëdhjetë vjet, i urtë e i ditur, duke i shtuar lavrat në hullitë e pararendësve dhe bashkëkohësve që shkruajnë për fëmijë e të rinj, u bën nderim e lavde disa prej autorëve kryesorë e meritorë, që nga Kristoforidhi e Naim Frashëri, duke sjellë në vëmendjen e lexuesve të rinj edhe krijues që e vijuan udhën e tyre.

Dhe për secilin prej tyre jep edhe vargje a strofa karakterizuese që të rinjve u mbeten si vlerësime orientuese e formuese. P.sh.

Konstantin Kristoforidhin e quan “Yll dritëshumë në qiellin tonë letrar, / N’errësirën shekullore/ Ti je rreze e parë.” Për Naimin, duke parafrazuar thelbin e shfrimeve poetike atdhedashëse të tij, thekson: “Diell i jetës së re,/ Bilbil i këngës së bukur;/ Frymë që jeton në ne,/ Mbi çdo lule-flutur.” Me fjalë e figura të zgjedhura ai shkruan për Vehbi Kikajn, Agim Devën, Dritëro Agollin, Xhevahir Spahiun etj.

Në disa prej poezive autori bën edhe përsiatje të bukura duke perifrazuar tekste e nëntekste të autorëve të traditës, si Migjeni për të cilin shkruan: “Na njohe me Lulin, Zenelin e me fëmijë të tjerë, që ëndërrove jetën t’ua bësh pranverë.” Me vëmendje të veçantë e me një aftësi të pëlqyeshme poeti trajton edhe tema të lidhura me historinë pak të thuash të trishtueshme të së shkuarës së Kosovës, duke kujtuar me mirënjohje e miradije miqtë e mëdhenj të Kosovës e të krejt kombit shqiptar.

Të tilla janë poezia “Shpirtbardhët”, kushtuar ndihmesës së jashtëzakonshme të miqve të mëdhenj Bill Clintonit, Robert Doleit, Medlin Olbrajtit etj. Në atë kuadër me vargje të ndjera vjen dhe “E vërteta rron”, kushtuar Milan Shuflajt, studiuesit dashamirës, i cili e pësoi për të vërtetën.

Libri “Dritare e hapur” është shkruar me dije e dashuri, me frymëzim e me zemër, ashtu si e ka në thua Xhevat Syla, po edhe është vënë në letër me një përpunim e përkundesje të lëvdueshme për gjuhën e stilin; aty gjejmë fjalë e togfjalësha të bukur që vijnë edhe prej trevave të Kosovës, sikundër ka edhe krijime të vetë autorit ose të pëlqyeshme e si prurje të përditësimit me kahet e shkrimtarisë bashkëkohore.

Në tërësinë e vet, ligjërimi i këtij vëllimi, ashtu si dhe i botimeve të mëparshme të Xhevat Sylës, ka një ekuilibër të këndshëm ndërmjet normës letrare kombëtare dhe prurjeve nga të folmet e nga fjalëkrijimi, që sjellin ujë të ri në detin e shqipes së përbashkët.

A nuk pat thënë edhe Tatëmadhi i Arbëreshëve, De Rada, në hyrje të poemës së vet: “Lis jeta kish ndërruar, ujë të ri ndë dejtit”. Ka edhe shumëçka tjetër për t’u vlerësuar në këtë libër, si poezitë “Një libri të lexuar me vonesë”, “Nëna Terezë”, “Korriku iku”, “ Lisi”, “Dimri i fëminisë sime”, “Gjyshi dhe qyteti”, “Rrëfimi i plakut” etj.

Libri mbyllet me një pasthënie të titulluar “Qasje poetike në larushi temash”, shkruar nga prozatori i njohur Ibrahim Kadriu, ku jepet një vlerësim i thukët po edhe i qartë e i përshtatshëm për këtë libër. Unë e lexova me ëndje këtë libër. Uroj ta lexojnë sa më shumë jo vetëm të rinj e fëmijë, po edhe të tjerë dashamirë të poezisë së sotme. Durrës,

Burimi: Koha