Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për përfshirje në një rast të vjedhjes. Sipas njoftimit, kërkesa është bërë nga Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim të prokurorisë kompetente. Policia ka bërë të ditur se personi që shihet në fotografinë e publikuar kërkohet për përfshirje në veprën penale “Vjedhje”.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin e personit, t’i kontaktojnë organet e rendit. “Për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit 192 ose përmes emailit info@kosovopolice.com ”, thuhet në njoftim.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera për rrethanat e rastit apo vendin dhe kohën kur dyshohet se është kryer vjedhja.
