Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, priti të martën një takim me drejtuesit më të lartë të teknologjisë, për atë që ai e quajti “një takim i jashtëzakonshëm” i mendjeve që po “ndërtojnë Epokën e Artë të Amerikës”. Lista e të ftuarve përfshinte drejtues nga OpenAI, Anthropic, Nvidia, SpaceX, Meta dhe Google – të gjithë figura kyçe në industrinë amerikane të inteligjencës artificiale.
Takimi erdhi ndërsa disa drejtues dhe ekspertë të teknologjisë kanë bërë thirrje për mbikëqyrje më të rreptë të inteligjencës artificiale, duke përmendur shqetësime në lidhje me rreziqet e mundshme që ajo paraqet për njerëzimin, shkruan BBC. Ja tre mësime kryesore nga samiti teknologjik i Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Trump iu përgjigj pyetjeve nga media për rreth 30 minuta së bashku me udhëheqësit kryesorë të teknologjisë pas takimit me dyer të mbyllura. Presidenti tha se drejtuesit kishin nënshkruar një dokument “moralisht të detyrueshëm” që do të shërbente si një “formë mbrojtjeje” nga rreziqet e mundshme të inteligjencës artificiale.
Sipas marrëveshjes, të cilën Trump e postoi në internet , kompanitë janë përgjegjëse për të siguruar sigurinë e teknologjisë së tyre.
