Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 25 tetor në Serbi paraqesin një moment të rëndësishëm edhe për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve e ka konfirmuar se zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë janë caktuar për këtë datë.
Për shqiptarët e Luginës, këto zgjedhje nuk lidhen vetëm me rezultatin e partive dhe numrin e votave që ato do të marrin. Sipas analistit nga Presheva, Nehat Hyseni, rëndësi të veçantë ka mënyra se si vota shqiptare do të përkthehet në përfaqësim politik dhe institucional.
Hyseni vlerëson se sfida kryesore pas zgjedhjeve nuk duhet të jetë vetëm përcaktimi i fituesit, por mënyra se si mandati eventual shqiptar do të përdoret për adresimin e problemeve të komunitetit.
“Për shqiptarët e Luginës, megjithatë, dimensioni është disi më i veçantë: zgjedhjet janë një mundësi për të matur jo vetëm fuqinë elektorale të subjekteve shqiptare, por edhe aftësinë e tyre për ta shndërruar votën në përfaqësim institucional dhe interes të artikuluar politik. Prandaj pyetja themelore nuk është vetëm: Kush do të fitojë?
Pyetja më e rëndësishme është: Çfarë do të bëjë vota shqiptare pas 25 tetorit? Sepse vota, në vetvete, është vetëm fillimi i përfaqësimit. Vlera e saj politike matet edhe me atë se çfarë ndodh me të pas mbylljes së kutive të votimit” , shprehet Hyseni, për “Bota sot”.
Nehat Hyseni Sipas tij, përvoja e zgjedhjeve të kaluara ka dëshmuar rëndësinë e koordinimit politik të subjekteve shqiptare. Ai përmend edhe zgjedhjet e vitit 2022, kur gara për sigurimin e një mandati shqiptar u shoqërua me përsëritje të votimit në Tërnoc të Madh dhe me një proces të kontestuar.
Hyseni thekson se bashkëpunimi nuk duhet të nënkuptojë zhdukjen e pluralizmit politik, por koordinimin rreth interesave të përbashkëta. “Nuk është fjala për eliminimin e pluralizmit shqiptar. Përkundrazi, pluralizmi është pjesë e demokracisë. Çështja është nëse subjektet politike shqiptare janë në gjendje të dallojnë ndërmjet konkurrencës partiake dhe interesit strategjik të komunitetit.
Partitë mund të garojnë ndaras për pushtetin lokal, mund të kenë programe të ndryshme dhe mund të kritikojnë njëra-tjetrën. Por në zgjedhjet parlamentare, ku objektivi kryesor është sigurimi i përfaqësimit në institucionin qendror të shtetit, pyetja e koordinimit merr një peshë të veçantë”, thotë ai.
Sipas Hysenit, një mandat shqiptar në Kuvendin e Serbisë nuk duhet të shihet vetëm si simbolik. Ai mund të shërbejë për ngritjen e çështjeve të Luginës në nivel shtetëror, për kërkimin e përgjegjësisë nga institucionet qendrore dhe për trajtimin e problemeve që lidhen me përfaqësimin e shqiptarëve në administratë, polici, drejtësi dhe institucione të tjera.
Ai konsideron se përfaqësimi parlamentar duhet të mbështetet në një agjendë konkrete, ku të përfshihen arsimi në gjuhën shqipe, përdorimi zyrtar i gjuhës, zhvillimi ekonomik, investimet publike, shëndetësia, infrastruktura, siguria dhe problemet demografike. “Një mandat parlamentar nuk duhet parë vetëm si simbol.
Një deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë nuk mund t’i zgjidhë i vetëm problemet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Por ai mund t’i artikulojë ato në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit.
Kjo është e rëndësishme sepse problemet lokale mund të ngrihen në nivel shtetëror, mund të kërkohet përgjegjësi nga ministritë dhe institucionet qendrore dhe çështjet e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike, polici, drejtësi dhe institucionet e tjera mund të bëhen pjesë e debatit parlamentar”, s hprehet Hyseni.
Një tjetër çështje që ai e veçon është pasivizimi i adresave dhe ndikimi që kjo mund të ketë në ushtrimin e të drejtës së votës. Hyseni argumenton se transparenca mbi listat e votuesve dhe mundësia reale e qytetarëve për të votuar duhet të jenë pjesë e vëmendjes së subjekteve shqiptare.
Në këtë kuadër, ai thekson se situata në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk është identike, por të tria komunat kanë interesa të përbashkëta kur bëhet fjalë për përfaqësimin në nivelin qendror. “Presheva ka shumicë të theksuar shqiptare dhe një traditë të konsoliduar të organizimit politik shqiptar.
Bujanoci ka strukturë më të përzier dhe një histori më komplekse të bashkëqeverisjes politike. Medvegja përballet me një situatë shumë më të vështirë demografike dhe institucionale. Megjithatë, në zgjedhjet parlamentare ekziston një interes që i bashkon të tria: përfaqësimi i zërit shqiptar në nivelin qendror të Republikës së Serbisë ”, thotë analisti.
Sipas tij, bashkimi i votës shqiptare nuk nënkupton domosdoshmërisht bashkimin e të gjitha partive. Subjektet mund të ruajnë programet dhe qëndrimet e tyre, ndërsa për zgjedhjet parlamentare mund të krijojnë një mekanizëm të përbashkët bashkëpunimi.
Në këtë drejtim, subjektet politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja tashmë kanë arritur marrëveshje për një listë të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar”. Hyseni vlerëson se pas zgjedhjeve do të jetë e rëndësishme që përfaqësuesi shqiptar të ketë një agjendë të qartë dhe të matshme, duke ngritur në Kuvend çështjet që prekin drejtpërdrejt qytetarët e Luginës.
“Çfarë do të kërkojë deputeti? Cilat do të jenë prioritetet? Sa pyetje parlamentare do të parashtrohen? Sa herë do të ngrihet çështja e Luginës? Cilat ligje do të kundërshtohen ose mbështeten? Cilat ministri do të thirren për përgjegjësi? Sa bashkëpunim do të ketë me komunat? Cili do të jetë raporti me Këshillin Kombëtar Shqiptar? Këto pyetje e bëjnë përfaqësimin parlamentar të matshëm.
Një deputet nuk duhet të jetë vetëm zë i Luginës në Beograd. Ai duhet të jetë edhe zë institucional i Luginës para opinionit evropian dhe euroatlantik”, thekson Hyseni. Ai e sheh procesin zgjedhor edhe si një test për mënyrën se si subjektet shqiptare do të arrijnë të bashkëpunojnë rreth interesave të përbashkëta, pa hequr dorë nga dallimet e tyre politike.
“Zgjedhjet e 25 tetorit 2026 janë një moment i rëndësishëm për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Por zgjedhjet nuk janë qëllim në vetvete. Ato janë mekanizëm për përfaqësim. Dhe përfaqësimi ka kuptim vetëm nëse shndërrohet në politikë konkrete. Prandaj sfida e shqiptarëve të Luginës nuk duhet të reduktohet vetëm në pyetjen se sa vota do të marrë një subjekt apo një kandidat.
Pyetja më e thellë është nëse do të ekzistojë një strategji e përbashkët për ta përdorur votën shqiptare si instrument institucional” , përfundon Nehat Hyseni. Kujtojmë se subjektet politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për të garuar së bashku.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën pas një takimi me përfaqësuesit e subjekteve shqiptare në Prishtinë. Kurti njoftoi se partitë do të garojnë me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, duke përshëndetur bashkëpunimin e tyre pavarësisht dallimeve politike.
Ai ka theksuar se bashkimi politik nuk është i mjaftueshëm, duke kërkuar edhe trajtim më të barabartë institucional për shqiptarët e Luginës.
“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë”, ka shkruar Kurti.
