Spanja është përfshirë nga moti i keq, me reshje të dendura dhe përmbytje të shpejta që kanë goditur disa rajone të vendit. Barcelona është vendosur në alarm të kuq për shkak të reshjeve intensive. Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur rrugë, tunele dhe pjesë të rrjetit të transportit, ndërsa ujërat kanë vërshuar edhe në disa stacione të metrosë.
Situata ka shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullim, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të shmangin zonat e rrezikuara. Probleme janë raportuar edhe në transportin ajror. Mbi 100 fluturime janë anuluar në aeroportin Barcelona-El Prat, duke shkaktuar vonesa dhe kaos për udhëtarët. Paralajmërime emergjente janë lëshuar në nëntë rajone të Spanjës.
Në Katalonjë, reshjet mund të arrijnë deri në 180 litra për metër katror brenda tre orëve, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytje të shpejta. Rajonet verilindore dhe veriperëndimore të vendit janë ndër zonat më të prekura nga moti i keq, ndërsa alarm i kuq është vendosur edhe në Extremadura.
Autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun nga përmbytjet e menjëhershme, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme në zonat e prekura.
