Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka miratuar gjashtë projektligje që lidhen me reformën në drejtësi. Kryetari i këtij Komisioni, Vigan Qorrolli, ka bërë të ditur se në mbledhjen e parë të Komisionit janë miratuar Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe pesë projektligjet e Pakos së Reformës në Drejtësi.
Sipas Qorrollit, këto të fundit lidhen me integritetin dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, fuqizimin e Këshillave, si dhe forcimin e Akademisë së Drejtësisë.
Postim i plotë: Sot, Komisioni për Legjislacion në mbledhjen e tij të parë, miratoi gjashtë projektligje të rëndësishme për reformën në drejtësi: • Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme; • pesë projektligjet e Pakos së Reformës në Drejtësi, që lidhen me integritetin dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve e prokurorëve, fuqizimin e Këshillave dhe forcimin e Akademisë së Drejtësisë.
Me miratimin në Komision, këto projektligje vazhdojnë rrugën drejt shqyrtimit në seancë plenare. Si Kryetar i Komisionit, e konsideroj këtë një hap konkret drejt reformimit të sistemit të drejtësisë dhe forcimit të shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës!
