Dy shqiptarë dënohen me nga 2 vjet e 3 muaj burg në Gjermani, u kapën

0%

Dy shtetas shqiptarë, 32-vjeçarë, janë dënuar me nga dy vjet e tre muaj burgim nga Gjykata e Rrethit të Fuldas në Gjermani, pasi u kapën duke punuar në një plantacion ilegal kanabisi në Künzell.

Sipas gazetës gjermane “Fuldaer Zeitung”, dy të pandehurit pranuan në fillim të procesit gjyqësor se kishin punuar si kopshtarë në plantacionin ilegal nga fillimi i janarit 2026 deri në arrestimin e tyre në prill. Policia kishte zbuluar plantacionin pasi banorët e zonës kishin vënë re erën e kanabisit.

Gjatë kontrollit në një objekt biznesi në Künzell, autoritetet sekuestruan 703 bimë kanabisi, së bashku me pajisje profesionale për kultivimin e tyre, transmeton “Bota sot”. Gjatë procesit, mbrojtja argumentoi se dy shqiptarët kishin vepruar për shkak të vështirësive të rënda ekonomike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas “Fuldaer Zeitung”, njëri prej tyre ishte ekonomist dhe kishte pasur punë me paga të ulëta në Shqipëri, ndërsa tjetri ishte mekanik dhe kishte borxhe prej rreth 10 mijë eurosh dhe tre fëmijë. Të dy pretenduan se u ishte premtuar pagesë për punën, por se nuk e kishin marrë atë.

Ata gjithashtu deklaruan se nuk ishin drejtuesit e plantacionit dhe se nuk kishin dijeni se kush qëndronte pas aktivitetit. Mbrojtja kërkoi dënime me kusht, duke argumentuar se dy të pandehurit ishin vetëm hallka më e ulët e një rrjeti më të gjerë kriminal.

Edhe gjatë hetimeve u gjetën gjurmë që sugjeronin përfshirjen e personave të tjerë, ndërsa personat që kishin marrë me qira objektin nuk ishin dy shqiptarët e arrestuar. Megjithatë, prokuroria kërkoi dy vjet e tre muaj burgim, kërkesë të cilën e pranoi edhe gjykata.

Kryetari i trupit gjykues tha se dy të pandehurit ishin “hallkat më të vogla në të gjithë zinxhirin”, por kjo, sipas tij, nuk e ndryshon përgjegjësinë e tyre penale. Gjykatësi theksoi gjithashtu se raste të ngjashme me plantacione kanabisi dhe lidhje me Shqipërinë janë evidentuar edhe në zona të tjera të rajonit të Fuldas.

Sipas tij, duhet parandaluar përhapja e këtij “modeli të ri biznesi”, edhe pse autoritetet ende nuk kanë arritur të identifikojnë drejtuesit kryesorë të rrjetit. Vendimi i Gjykatës së Rrethit të Fuldas nuk është ende i formës së prerë.

Burimi: Bota Sot