Gara për Topin e Artë po hyn në fazën e fundit. Në qendër të vëmendjes janë Lamine Yamal dhe Harry Kane, dy sulmues me profile të ndryshme, por me shifra që i mbajnë në garë për trofeun prestigjioz. Në Sevilje, protagonist ishte sërish Lamine Yamal.
Talenti i Barcelonës udhëhoqi Spanjën në fitoren 4-1 ndaj Kroacisë në Ligën e Kombeve, duke shënuar dy gola dhe duke qenë një nga lojtarët kryesorë të ofensivës spanjolle. Me dopietën ndaj Kroacisë, Yamal ka arritur në kuotën e 10 golave me fanellën e Spanjës.
Për 19-vjeçarin, ky është një sezon i rëndësishëm, i kurorëzuar me titullin e kampionit të botës dhe fitimin e La Liga me Barcelonën, ndërsa e mbylli sezonin me 21 gola. Por përgjigjja e Harry Kane nuk ka munguar. Sulmuesi anglez shënoi në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Çekisë, duke e çuar në 87 numrin e golave me Anglinë.
Kane ka vijuar të jetë vendimtar edhe në arenën ndërkombëtare, ndërsa në Botëror realizoi gjashtë gola. Edhe në nivel klubesh, sulmuesi anglez ka lënë gjurmë. Me Bayern Munich, 33 vjecari e mbylli sezonin me 26 gola, duke konfirmuar edhe një herë produktivitetin e tij përpara portës. Megjithatë, gara për Topin e Artë nuk kufizohet vetëm te Yamal dhe Kane.
Në listën e kandidatëve janë edhe Lionel Messi, Kylian Mbappé, Rodri dhe Kvaratskhelia. Votimet tashmë janë mbyllur dhe gjithçka është në pritje të verdiktit final. Fituesi i Topit të Artë do të shpallet më 26 tetor në Londër.
