Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, duke thënë se një marrëveshje politike mes kryetarëve të partive nuk mund të jetë detyruese për deputetët e Kuvendit.
Hoti ka argumentuar se një marrëveshje nuk mund të përdoret si bazë për kërkimin e një vote nga deputetët, sidomos kur kandidati i përfshirë në atë marrëveshje është tërhequr nga kandidatura. Sipas tij, dakordimi ndërmjet dy kryetarëve të partive nuk mund të shndërrohet në urdhër për deputetët e Kuvendit.
“Si mund të thirret dikush në një marrëveshje kur vetë personi i përfshirë në atë marrëveshje është tërhequr nga kandidatura?! Një dakordim mes dy kryetarëve të partive nuk mund të shndërrohet në urdhër për deputetët e Kuvendit. Kushtetuta është shumë e qartë: deputetët, si përfaqësues të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi. Marrëveshjet politike mund të ndryshohen.
Ne jemi gati të votojmë një kandidat nga Lidhja Demokratike të Kosovës, sepse vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve. Ne zgjedhim “zgjedhjet e reja” në vend të nënshtrimit politik. Marrëveshjet politike mund të negociohen, por jo Kushtetuta e Kosovës ”, ka shkruar Hoti në Facebook.
