Një episod i rëndë dhune ka ndodhur të martën në qytetin e Rosarios gjatë festimeve të tifozëve të Rosario Central pas triumfit në Superkupën Ndërkombëtare ndaj Estudiantes de La Plata. Një grup tifozësh të Rosario Central ka vendosur të hyjë në stadiumin e rivalëve të përjetshëm, Newell’s Old Boys, edhe pse ky klub nuk ishte i përfshirë në finalen e zhvilluar.
Sipas informacioneve të para të raportuara nga TycSports, tifozët e Rosario Central u përplasën me grupe tifozësh të Newell’s Old Boys. Situata eskaloi dhe u desh ndërhyrja e forcave të policisë për ta shpërndarë turmën. Policia hyri në ambientet e stadiumit, duke shkaktuar panik edhe te personat që nuk kishin lidhje me përplasjet.
Në njërën prej videove që u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, shihet një efektiv policie duke e goditur një person që ndodhej i shtrirë në tokë. Në vendngjarje pati edhe përdorim të plumbave të gomës, ndërsa mediat argjentinase raportojnë për britma, makina të dëmtuara dhe kaos në zonën përreth stadiumit.
Incidentet përfunduan me të paktën 12 persona të plagosur, ndërsa raportohet edhe për arrestime. Numri i saktë i personave të arrestuar ende nuk është bërë i ditur.
