Ferizaj miraton buxhetin prej mbi 56 milionë eurosh për vitin 2027

0%

Kuvendi Komunal i Ferizajt ka miratuar buxhetin e Komunës për vitin 2027, në vlerë totale prej 56,102,329 eurosh. Sipas projektbuxhetit të prezantuar në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal, për investime kapitale në vitin 2027 janë planifikuar 15,350,388 euro.

Në mbledhje morën pjesë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Xhavit Zariqi, si dhe drejtorët e drejtorive komunale. Gjatë prezantimit të buxhetit, Aliu tha se dokumenti paraqet, sipas tij, vizionin e qeverisjes lokale për zhvillimin e Ferizajt dhe përfshin projekte në fusha të ndryshme.

“Buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2027 arrin lartësinë në vlerën totale 56,102,329.00, e që, ndarë vetëm në fushën e investimeve kapitale, kemi 15,350,388 për projektet kapitale të Komunës së Ferizajt për vitin kalendarik 2027”, tha Aliu.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai përmendi një varg projektesh që janë përfshirë në planifikimin buxhetor, përfshirë zgjerimin e Parkut të Lirisë, Parkun e Ri të Qytetit dhe ndërtimin e Bulevardit të Rinisë. Në fushën e infrastrukturës rrugore, sipas Aliut, parashihet ndërtimi i sheshit nga rruga “Madeleine Albright” deri te Teatri i Qytetit, si dhe vazhdimi i projektit për Unazën e Brendshme të Ferizajt.

Në buxhet janë paraparë edhe projekte për lidhjen e zonës urbane me atë rurale, përfshirë rrugët Naim Beka–Epopeja e Jezercit, Manastirc–Pleshinë, Zaskok–Ferizaj, Varosh–Gurëz dhe Prelez i Jerlive–Prelez i Muhaxherëve, si dhe projekte të asfaltimit në fshatra të ndryshme. Aliu tha se investime janë planifikuar edhe në ujësjellës dhe kanalizim.

Në sektorin e shëndetësisë, ai përmendi ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, QMF-së numër 12, si dhe qendrave të mjekësisë familjare në Koshare dhe Rakaj. Po ashtu, sipas tij, do të investohet në pajisje mjekësore dhe në fuqizimin e shërbimit të kujdesit paliativ.

Në arsim, planifikimi përfshin ndërtimin e objekteve të reja shkollore në Manastirc, Varosh dhe Tërrn, si dhe investime në hapësira sportive, digjitalizimin e klasave dhe pajisjen e tyre me tabela digjitale.

Ndër projektet e përmendura në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit janë rikonstruktimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj, ndërtimi i Kompleksit Muzeor “Hani i Ferizit”, ndërtimi i Palestrës së Re Sportive në qytet dhe Stadiumit Ndihmës të Futbollit në Sazli.

Në seancë, Kuvendi Komunal diskutoi edhe çështje të tjera, përfshirë raportin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, i cili u miratua njëzëri.

Po ashtu, u diskutua Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për efikasitetin dhe efektivitetin në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt, si dhe propozimet për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave. Në fillim të seancës, përfaqësuesit e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Azemi dhe Brahim Osmani, kërkuan ndryshimin e rendit të ditës.

Kërkesa e tyre nuk u miratua, pas së cilës anëtarët e këtyre dy subjekteve lëshuan sallën. Ndërkaq, anëtarët e LDK-së nuk morën pjesë as në votimin e deklaratës së Kuvendit lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Burimi: Telegrafi