Shpërndaje në: Dhjetëra banorë të Nivicës, Shën Vasilit, pronarë të tokave në Kakome të Shqipërisë dhe emigrantë që erdhën nga qytete të ndryshme të vendit kanë protestuar në zonën e Kakomesë. Banorët e zonës së Kakomesë zhvilluan një protestë për të mbrojtur pronat që ata pretendojnë se u përkasin familjeve të tyre prej brezash.
Gjatë protestës, ata hoqën muret rrethuese, godinat e rojeve dhe telat që rrethonin Gjirin e Kakomesë. Dy ditë më parë ishte hequr edhe porta në hyrje të gjirit, raporton Top Channel. Ata deklaruan se konflikti për pronësinë e Kakomesë vazhdon që nga viti 2004 dhe është bërë një nga mosmarrëveshjet më të gjata për pronat në jug të Shqipërisë.
Ata thanë se gjatë këtyre viteve janë zhgënjyer nga të gjitha partitë politike, sepse, sipas tyre, kanë marrë vetëm premtime dhe jo një zgjidhje përfundimtare. Sipas protestuesve, bëhet fjalë për rreth 29 mijë hektarë tokë, për të cilat proceset administrative dhe gjyqësore vazhdojnë prej më shumë se 20 vitesh.
Ata theksuan se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë derisa t’u njihen plotësisht të drejtat e pronësisë mbi këto toka. Sipas banorëve, ky rrethim u kishte penguar hyrjen në tokat e tyre dhe përdorimin e plazhit, jo vetëm për banorët vendas, por edhe për vizitorët.
Ata thanë se prej vitesh kanë shprehur shqetësime për kufizimin e aksesit në këtë zonë. Protestuesit deklaruan se nuk do të lejojnë që tokat e tyre të merren nga oligarkë ose investitorë që, sipas tyre, mbështeten politikisht. Gjatë protestës ata përdorën edhe sloganin: “Tokat e të parëve do t’i mbrojmë me gjak”.
Në protestë morën pjesë dhjetëra banorë dhe emigrantë, kryesisht nga Nivica, por edhe nga fshatra të tjerë të zonës. Ata u mblodhën në atë që e konsiderojnë tokën e trashëguar nga të parët e tyre dhe kundërshtuan siç thanë – grabitjen e pronave.
Në Shqipëri, që tri javë po protestohet nga numër i madh i qytetarëve në kundërshtim të projekteve e zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit. Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Çështja e projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare, ndërsa grupe ambientaliste dhe organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në zonat e mbrojtura dhe mungesën e transparencës në procedurat e zhvillimit të projektit. Projekti ndërtimor atje lidhet me dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.
