Shpërndaje në: Me një tregolësh mahnitës në fitoren 3:0 të Argjentinës ndaj Algjerisë në Kupën e Botës, 38-vjeçari Lionel Messi justifikoi pohimin e trajnerit Lionel Scaloni se ai mbetet themelor për kampionen në fuqi të botës. 20 vjet pasi shënoi golin e parë në Kupë të Botës, tetë herë fituesi i Topit të Artë, shkroi tjetër kapitull në historinë e futbollit. Ai u barazua me Miroslav Klosen si golashënuesit më të mirë në histori të Botërorëve. Të dy i kanë nga 16 gola. Messi luajti në Botërorin e gjashtë, që është rekord, e po ashtu luajti ndeshjen e 200-të ndërkombëtre. Dhe nuk kishte se si ta mbyllte më mirë. Emri i Messit është thirrur ende pa nisur ndeshja, ndërsa ai u largua mes thirrjeve e duartrokitjeve të zjarrta të shikuesve pasionantë në stadium. Pos tre golave, dy prej të cilëve shumë të bukur, përpjekjet dhe intensiteti mbrojtës i Messit dëshmuan atë që superylli jep për ekipin argjentinas. “Është avantazh të kesh Leon, për shkak të mënyrës se si ai e menaxhon grupin dhe e çon atë përpara”, tha mesfushori Rodrigo De Paul, i cili asistoi në golin e parë. “Ai nuk i kushton vëmendje rekordeve individuale. I jep përparësi ekipit dhe për ne kjo është e pabesueshme”. Performanca e Messit ofroi gjithashtu një kujtesë për qëndrueshmërin e tij. Ai arriti në Botëror pasi u rikuperua nga një tendosje muskulore. Dhe përnjëherë çdo shqetësim për gjendjen e tij fizike u shua. Deklarata e Scalonit se Messi tani është edhe më i rëndësishëm për Argjentinën, u vërtetua në fushën e lojës. Superylli imponoi ritmin e tij në ndeshje, pavarësisht se kanë kaluar shumë vjet prej se ai kishte kulmin në futbollin evropian. “Nuk kam fjalë për Leon. Çka mund të them? Ai është i pabesueshëm. Ai e ka bërë këtë për 20 vjet. Të gjithë në futboll duan ta shikojnë e shijojnë atë”, ka thënë selektori Scaloni pas ndeshjes. Kjo pritet të jetë Kupa e fundit e Botës për Messin. Dhe tifozët po e shijojnë çdo moment në fushë të tij. Mijëra tifozë argjentinas në stadiumin e Kansas Cityt u përkulën vazhdimisht në drejtim të Messit, përfshirë edhe momentin kur ai u zëvendësua nga Nico Paz në minutën e 80-të.
