Shpërndaje në: Kroacia ka pësuar humbje turpëruese nga Spanja të martën mbrëma në Sevilla. Në fakt kroatët ishin me fat që pësuan vetëm 4:1. Deklarata e përzgjedhësit të Spanjës, Luis de la Fuente, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, tregon shumë. Ndeshja i takoi Ligës së Kombeve. “Pjesa e parë ka mundur të përfundojë 4:1 apo 5:1. Pjesa e dytë po ashtu”, ka thënë selektori spanjoll.
Spanjollët megjithatë ndalën ritmin dhe ndeshja përfundoi 4:1. Selektori i Kroacisë, Slaven Biliq ka folur për një mbrëmje të vështirë që shkoi keq në çdo drejtim. Lamine Yamal shënoi që në minutën e dytë të ndeshjes. Barazimi i rezultatit me golin e Dion Brena Beljo nuk solli ndonjë përmirësim për Kroacinë, sipas Biliqit.
“Është dëshpëruese, rezultat i keq, ndjenjë e keqe”, ka thënë Biliq. Ai ka kritikuar për mungesë të agresivitetit dhe e bëri të qartë gjendjen. “Nuk kemi ardhur këtu për të festuar me spanjollët”. Atmosfera në stadium u vlerësua “elektrizuese”. Ishin mbi 40 mijë shikues, ndërsa kampionët botërorë me krenari shfaqën trofeun që e fituan në verë. Dhe më pas festuan për 90 minuta lojë.
“Spanjollët janë më të mirët, jo vetëm sot”, ka pranuar Biliq. “Por u kemi dhënë shumë hapësirë. Ka pasur edhe gjëra të mira, por pak”. Të martën e ardhshme dy përfaqësueset përballen në Kroaci. “E kemi ndeshjen e kthimit dhe do të jemi ekip tjetër”, ka premtuar Biliq. Por shumë do të varet nga forma e Lamine Yamalit. Në ndeshjen e së martës mbrëma ai ishte i pandalshëm.
Ishte i përfshirë direkt në tri gola, ndërsa i shënoi dy prej tyre. “Lamine është shumë i motivuar për t’u zhvilluar edhe më shumë dhe t’i tregojë botës çfarë futbollisti është. Ai është modest dhe kjo e bënë edhe më të madh. E kemi shijuar magjinë e tij në shërbim të ekipit dhe në të ardhmen ai do të ketë njohje edhe më të shumta për paraqitjet dhe punën për ekip.
Jemi me fat që e kemi”, ka theksuar De la Fuente. “AS” ka shkruar se Ivan Perishiq i Kroacisë ka ndërruar fanellat me Yamalin që në fund të pjesës së parë. Kjo ndodh rrallë. Yamali është uruar për paraqitjen nga kroati tjetër i njohur, Joshko Gvardiol.
