Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar sërish ndaj ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, duke e akuzuar atë për standard të dyfishtë në raport me çështjen e pavarësisë së drejtësisë.
Çitaku ka rikujtuar qëndrimet e ambasadorit britanik në mbështetje të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke iu referuar deklarimeve se Britania e Madhe nuk ndërhyn në çështjet gjyqësore dhe se beson në drejtësinë e pavarur.
Në reagimin e saj, deputetja e PDK-së ka sjellë në vëmendje edhe raportimet për një telefonatë të vitit 2024 mes ish-sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, dhe kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan.
Qeveria britanike ka konfirmuar se telefonata mes Cameronit dhe Khanit është zhvilluar më , ndërsa pretendimet se gjatë saj është ushtruar presion ndaj kryeprokurorit janë bërë nga vetë Khan dhe janë raportuar nga mediat. David Cameron ishte sekretar i Jashtëm britanik nga nëntori 2023 deri në korrik 2024.
Duke iu referuar këtij rasti, Çitaku ka kritikuar faktin që, sipas saj, ambasadori Hargreaves nuk ka reaguar publikisht.
“Kjo heshtje është e vështirë të mos shihet si standard i dyfishtë dhe si hipokrizi: në Kosovë flitet vazhdimisht për pavarësinë e drejtësisë dhe mosndërhyrjen në çështjet gjyqësore, ndërsa përballë një rasti që prek drejtpërdrejt Britaninë e Madhe, heshtja duket se është zgjedhja e ambasadorit”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se pajtohet me parimin e pavarësisë së drejtësisë, por ka kërkuar që i njëjti standard të vlejë në çdo rast. “Nëse drejtësia duhet të jetë e pavarur, e që pajtohem se duhet të jetë, atëherë duhet të jetë e pandikuar dhe e pavarur për të gjithë. Edhe kur bëhet fjalë për ju, zoti ambasador!”, ka përfunduar Çitaku./Telegrafi.
