Asllani ende jashtë ekipit, Hoffenheimi sqaron situatën pas

0%

Kanë kaluar rreth tri javë që kur dështoi transferimi i Fisnik Asllanit nga Hoffenheimi te Leipzigu, por situata rreth sulmuesit kosovar vazhdon të mbetet e paqartë. Asllani ishte shumë pranë kalimit te Leipzigu, mirëpo marrëveshja u ndërpre pasi klubi i ri ngriti shqetësime gjatë kontrolleve mjekësore.

Në Hoffenheim, në atë kohë, tentuan ta minimizonin rëndësinë e situatës, duke bërë të ditur se 24-vjeçari do t’u rikthehej shpejt stërvitjeve. Megjithatë, rikthimi i tij nuk ka qenë aq i shpejtë sa ishte pritur. Asllani nuk u paraqit në ndeshjen e parë të Hoffenheimit në Kupë dhe më pas mungoi edhe në ndeshjen hapëse të Bundesligës ndaj Kolnit, shkruan Kicker .

Kjo ka shtuar pikëpyetjet rreth gjendjes së tij fizike, sidomos duke pasur parasysh se Leipzigu kishte ngritur pikërisht shqetësime mjekësore para se transferimi të dështonte. Ilzer: Asllanit i duhet ende kohë Trajneri i Hoffenheimit, Christian Ilzer, ka tentuar ta qartësojë situatën, duke thënë se Asllani duhet të rikthehet gradualisht në ngarkesat e plota stërvitore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Do të duhet ende pak kohë për Fisin. Ngarkesa e tij do të rritet gradualisht dhe do të futet në stërvitjen e ekipit”, deklaroi Ilzer. Trajneri austriak bëri të ditur se Asllani ka pasur një problem me një masë indi dhjamor në pjesën e përparme të gjurit, gjë që ka ndikuar në procesin e rikthimit të tij. “Gjithçka është në rregull.

Ai gradualisht do ta rrisë ngarkesën e punës dhe do të marrë pjesë më shumë në stërvitjen e ekipit”, shtoi Ilzer. Drejtori sportiv, Schicker: Asllani nuk mori pjesë në fazën përgatitore Edhe drejtori sportiv Andreas Schicker ka dhënë shpjegime për situatën e reprezentuesit të Kosovës.

Sipas tij, Asllani nuk ka qenë plotësisht i përfshirë në fazën përgatitore për shkak të transferimit të planifikuar, ndaj klubi po tregohet i kujdesshëm me rikthimin e tij. “Ai nuk mori pjesë plotësisht në fazën parasezonale për shkak të transferimit të planifikuar. Prandaj, po e rikthejmë me një menaxhim të kujdesshëm të ngarkesës dhe po i japim kohën që të tjerët kanë pasur tashmë.

Përveç kësaj, sezoni nuk vendoset në shtator”, tha Schicker. Drejtori sportiv shtoi se klubi është në kontakt të vazhdueshëm me ekipin mjekësor për të siguruar që Asllani të rikthehet gradualisht në stërvitje të plotë.

Megjithatë, ende nuk është bërë plotësisht e qartë nëse problemi i gjurit i përmendur nga Hoffenheimi është i njëjti shqetësim që ndikoi në dështimin e transferimit të tij te Leipzigu. Për momentin, Asllani mbetet jashtë skuadrës së Hoffenheimit dhe nuk duket se rikthimi i tij i plotë do të ndodhë menjëherë.

Klubi gjerman, megjithatë, vazhdon të insistojë se situata po menaxhohet me kujdes dhe se sulmuesi kosovar do të rikthehet gradualisht në ritmin e ekipit. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi