Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka thënë se vendi do ta ruajë pronësinë dhe sovranitetin mbi naftën, pavarësisht marrëveshjes së re me Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja, e njoftuar nga presidenti amerikan Donald Trump, i jep SHBA-së qasje të madhe në rezervat e naftës së Venezuelës, të cilat arrijnë rreth 65 miliardë fuçi.
Rodríguez tha se marrëveshja parasheh zhvillimin e 17 fushave të naftës dhe investime prej më shumë se 100 miliardë dollarësh (rreth 85 miliardë euro). Sipas saj, shteti venezuelian mund të përfitojë më shumë se 209 miliardë dollarë (rreth 178 miliardë euro) nga taksat.
Qeveria thotë se synimi është që të ardhurat nga nafta të përdoren për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, raporton Euronews, transmeton Sinjali. Megjithatë, marrëveshja është kritikuar për mungesë transparence dhe ka ngritur pikëpyetje nëse populli venezuelian do të përfitojë realisht prej saj.
Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, por prej vitesh po përballet me krizë ekonomike dhe mungesë investimesh. Prodhimi i naftës është rritur me 29.8 për qind këtë vit, duke arritur në rreth 1.2 milion fuçi në ditë, por mbetet shumë më i ulët se niveli prej rreth 3 milionë fuçish në ditë që prodhohej 25 vjet më parë.
Ndërkohë, SHBA-ja ka lehtësuar disa sanksione ndaj sektorit të naftës në Venezuelë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar marrëveshjen si “një fitore të madhe” për të dyja vendet. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
