Profesori Enver Bytyçi ka reaguar lidhur me mundësinë që Dr. Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president të Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar lart profilin e tij profesional, akademik dhe institucional. Bytyçi në shkrimin e dërguar për “Bota sot” ka vlerësuar mes tjerash se përvoja e Sejdiut në diplomaci, drejtësi dhe akademi e bën atë një figurë të përshtatshme për këtë pozitë.
“ Mos ia humbni shansin Kosovës! Është konfirmuar tashmë në publik se Dr. Bekim Sejdiu mund të jetë kandidat për president të Republikës së Kosovës. CV e tij është impresionuese: – Diplomat, ambasador dhe konsull i Përgjithshëm. Më pas anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pedagog në Fakultetin e Shkencave Juridike në Universitetin e Prishtinës.
Ka mbrojtur doktoraturën në shkencën e së drejtës ndërkombëtare. Nuk është marrë asnjëherë me politikë të mirëfilltë dhe nuk është rrjeshtuar në ndonjë parti politik e”, ka deklaruar Bytyçi.
Profesori ka vlerësuar se një profil i tillë nuk do të duhej të haste në kundërshtime nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj partive që mund ta kundërshtojnë kandidaturën e Sejdiut. Profesori Enver Bytyçi “Me këtë CV askush, asnjë deputet, nuk mund ta kundërshtojë kandidaturën e tij.
Nëse PDK dhe AAK e kundërshtojnë, atëherë këto dy parti duan që për inat të Kurtit të shkojnë e të flenë me Vuçiq dhe Radoiçiq! Nëse ndonjë deputet i LDK-së hedh vickla, atëherë ai problemin e ka me veten e tij e mos e thashtë zoti edhe me padronin e tij, diku në ndonjë skutë, ku thuren skenare anti-shqiptare e anti-Kosovë”, k a thënë Bytyçi.
Bytyçi ka komentuar edhe rolin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, duke vlerësuar se qëndrimi ndaj kandidaturës së Sejdiut mund të shërbejë si një test për partitë politike dhe për pretendimet e tyre rreth bllokimit të institucioneve.
“Besoj se Lumir Abdixhiku kësaj radhe ka për të qenë sfida e çdokujt që bllokon krijimin e institucioneve të Kosovës. Ai duket se këtë sfidë e ka drejtuar në të dy krahët dhe pret se cila palë do të reagojë me kundërshti. Në këtë rast do të zbulohet përfundimisht se kush e bllokon krijimin e institucioneve të Kosovës.
Opozita çdo ditë shkon te salla e Kuvendit dhe thotë se Albin Kurti i ka bllokuar institucionet e shtetit. Vota dhe mbështetja ose jo për Bekim Sejdiun do të na japë të drejtën të gjykojmë se kush janë ata që bllokojnë zgjedhjen e kreut të shtetit”, t heksoi ai.
Në fund, Profesori ka potencuar se profili juridik dhe akademik i Sejdiut është një tjetër argument në favor të kandidaturës së tij, veçanërisht duke marrë parasysh nevojën për reforma në drejtësi. “Si jurist dhe konstitucionalist Bekim Sejdiu është i përshtatshëm për atë post edhe për faktin se presidenti do të duhet në këtë legjislaturë të drejtojë reformën në drejtësi.
Kosova ka nevojë për drejtësi!”, ka përfunduar Bytyçi.
