Ndryshimi i vogël në rutinën e mbrëmjes mund ta bëjë zgjimin dhe përqendrimin shumë më të lehtë Një orar i qëndrueshëm i gjumit e lehtëson fjetjen dhe zgjimin, ndërsa u siguron fëmijëve përqendrimin dhe energjinë e nevojshme për të ndjekur mësimin. Ekspertët theksojnë se çelësi i një kalimi të suksesshëm është përshtatja graduale . Sa gjumë u duhet në të vërtetë fëmijëve?
Nevoja për gjumë ndryshon sipas moshës. Sipas pediatres Dr. Gabrina Dixon nga Children’s National Hospital në SHBA, gjumi i mjaftueshëm ndikon drejtpërdrejt në aftësinë për të mësuar dhe në funksionimin gjatë ditës. Në varësi të moshës, rekomandohen: Fëmijët parashkollorë – deri në 13 orë gjumë Fëmijët e moshës shkollore – 9 deri në 12 orë Adoleshentët – 8 deri në 10 orë.
“Kur themi ‘flini mirë’, nuk është thjesht një këshillë. Gjumi vërtet i ndihmon fëmijët të mësojnë dhe të funksionojnë më mirë gjatë ditës”, thekson Dr. Dixon. Mungesa kronike e gjumit te fëmijët mund të shkaktojë rënie të përqendrimit, nervozizëm, lodhje të vazhdueshme dhe vështirësi në përvetësimin e mësimeve , transmeton Telegrafi.
Si të ndryshohet rutina e gjumit Ndryshimet e menjëhershme mund të shkaktojnë edhe më shumë stres dhe përgjumje, paralajmëron Dr. Brian Chen nga Cleveland Clinic . Prandaj, një ose dy javë para fillimit të shkollës rekomandohen disa hapa të thjeshtë. 1.
Zhvendoseni gradualisht orarin e gjumit Çdo mbrëmje, çojeni fëmijën në shtrat 15 deri në 30 minuta më herët, derisa të arrijë orarin e përshtatshëm për ditët e shkollës. 2. Përgatitje për gjumë pa ekrane Shmangni vaktet e rënda dhe ekranet – televizorin, telefonin dhe tabletin – të paktën dy orë para gjumit.
Në vend të tyre, zgjidhni aktivitete qetësuese, si një dush i ngrohtë ose leximi i një libri. 3. Drita e mëngjesit ndihmon zgjimin Në mëngjes, ekspozimi ndaj dritës natyrale, pranë dritares ose gjatë një shëtitjeje të shkurtër, mund ta ndihmojë trurin të zgjohet dhe të përshtatet më shpejt me ritmin e ri.
Si të zvogëlohet ankthi para ditës së parë të shkollës Cilësia e gjumit mund të ndikohet edhe nga ankthi para fillimit të vitit shkollor. Ekspertët këshillojnë prindërit të flasin hapur me fëmijët për të kuptuar se çfarë i shqetëson – ambienti i ri, mësuesit apo krijimi i shoqërisë së re.
Mund të ndihmojnë edhe disa “prova” para fillimit të mësimit, si vizita në shkollë ose takimi me shokët dhe shoqet e klasës. Edhe nëse fëmija nuk është kthyer ende plotësisht në ritmin e zakonshëm të gjumit, nuk ka arsye për panik. Fëmijët zakonisht përshtaten shpejt, për sa kohë që prindërit tregohen të durueshëm dhe të qëndrueshëm në rutinën e re.
