Gjatë ditës së sotme është zhvilluar ndeshja mes Vushtrrisë dhe Dritës, e vlefshme për xhiron e tretë të Superligës së Kosovës. Përballja në fushë nuk solli edhe aq momente të mira futbolli, me ndeshjen që përfundoi 1-0 në të mirë të kampiones në fuqi të Kosovës, Dritës. Arb Manaj shënoi për 1-0 në minutën e 77-të, për t’ia dhënë tri pikët Dritës në përballjen e sotme.
Tensione pati jashtë fushës, gjatë tërë ndeshjes pothuajse. Në pjesën e parë, pa paralajmëruar, tifozëria e Dritës, “Intelektualët” u fut në stadiumin në Hajvali, teksa “Forca” e Vushtrrisë tentoi t’i sulmojë. Mirëpo, për të shmangur përplasjet fizike ndërhyri Policia e Kosovës dhe situata në vazhdim u qetësua.
Në fund, pasi u mbyll ndeshja, tifozëria vushtrriase u fut në fushë dhe tentoi të sulmojë tifozërinë gjilanase, por prapë ndërhynë forca policore të Kosovës. Vushtrria s’e ka fituar asnjë pikë të vetme në tri ndeshjet e para, duke pësuar tri humbje, derisa Drita ka dy fitore nga dy ndeshje – me takimin ndaj Prishtinës që është shtyrë shkaku i ndeshjeve të Dritës në Evropë.
