Lorent Tolaj po bëhet shumë shpejt protagonist me fanellën e Bristolit në Championship, kategorinë e dytë të futbollit në Angli, edhe pse ka pak kohë që i është bashkuar kësaj skuadre. Në ndeshjen e tij të tretë në kampionat me ekipin, sulmuesi 24-vjeçar që mbetet opsion për Shqipërinë edhe pse ka luajtur me moshat e Zvicrës, ka tundur rrjetën në fitoren 2-1 ndaj Portsmuthit.
“Ishte ndjesi e mirë të siguroja fitoren e parë të sezonit dhe mendoj se të gjithë dhamë gjithçka për të marrë tre pikët e para të sezonit. Unë mund të kisha shënuar edhe në ndeshjen ndaj Birmingem, pasi kisha një mundësi të mirë.
Por duhet ta shfrytëzosh atë dhe kjo është ajo që bëra këtë radhë”, tha sulmuesi shqiptar i cili spikati në edicionin e kaluar te Plajmuth në kategorinë e tretë me 17 gola të shënuar në 29 ndeshje. I lumtur ka qenë padyshim edhe trajneri Majkëll Skubala, i cili siguroi fitoren e tij të parë në këtë sezon falë edhe kontributit të Tolajt.
“Ishte një finalizim fantastik për golin e parë, por unë e kam parë Lorentin që të bëjë një gjë të tillë edhe në stërvitje. Çfarë më pëlqeu më shumë ishte lëvizja që solli te goli, pasi ka ardhur nga stërvitjet, meqë kishim punuar që t’i kapnim në kundërsulm. Lorenti ishte i pafat që nuk shënoi në ndeshjen e kaluar dhe tani do të fitojë shumë vetëbesim nga goli i tij i parë”, tha Skubala.
