Një ngjarje tragjike ka ndodhur në brigjet veriore të Qipros, ku një anije me 267 persona në bord është përmbysur, duke lënë të paktën tetë persona të vdekur. Në anije ndodheshin 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit. Sipas autoriteteve, anija nisi të marrë ujë rreth gjashtë kilometra larg bregut të Kyrenias, teksa ishte nisur drejt portit turk të Taşucusë.
Pas ngjarjes, kapiteni i anijes dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit janë arrestuar. Hetimet kanë nisur për të zbardhur shkaqet e incidentit, të cilat ende nuk janë bërë të qarta. Sipas informacioneve të publikuara nga autoritetet, 17 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit vijon.
Presidenti i Republikës së vetëshpallur Turke të Qipros Veriore, Tufan Erhürman, ka deklaruar se deri tani janë arritur të shpëtohen 244 persona. Në rrjetet sociale janë publikuar pamje ku shihen pasagjerë me jelekë shpëtimi, të ulur mbi anijen e përmbysur, duke pritur ekipet e shpëtimit.
Edhe Republika e Qipros ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmë në operacionin e shpëtimit, duke theksuar se do të përdorë çdo mjet në dispozicion kur rrezikohen jetë njerëzish. Qiproja është e ndarë politikisht që nga viti 1974, ndërsa pjesa veriore kontrollohet nga Republika Turke e Qipros Veriore, e cila njihet ndërkombëtarisht vetëm nga Turqia.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!