Vështirësitë e Alvaro Arbeloas te Fulhami po thellohen. Trajneri spanjoll tashmë ka parë skuadrën e tij të humbasë dy ndeshje radhazi në Premierligë. Fulhami e nisi sezonin me një humbje 3-2 ndaj Chelseat, ndërsa të shtunën erdhi edhe disfata e dytë, 1-0 në transfertë ndaj Sunderlandit, në javën e dytë të kampionatit.
Sipas gazetës “AS”, Arbeloa do të duhet të presë edhe më gjatë për ta shijuar fitoren e parë në Premierligë me Fulhamin. Në një ndeshje të ngushtë dhe të ekuilibruar ndaj Sunderlandit, rastet për shënim ishin të pakta. Isidor e zhbllokoi takimin me golin e vetëm të ndeshjes, rreth 15 minuta para fundit, duke i lënë Fulhamit shumë pak kohë për të reaguar.
Sunderland u duk skuadra më komode në pjesën e parë, duke dominuar posedimin e topit, por pa arritur ta rrezikonte seriozisht Fulhamin. Rasti më i mirë i ndeshjes deri në atë moment i takoi pikërisht skuadrës mysafire, para se të mbushej gjysmë ore lojë.
Iwobi e futi topin pas mbrojtjes së Sunderlandit për King, ndërsa sulmuesi tentoi ta kalonte portierin Roefs me një goditje mbi të, teksa ky i fundit doli me shpejtësi nga porta. Megjithatë, goditja e tij përfundoi mbi traversë. Pas pushimit, shumëçka mbeti e pandryshuar, ndonëse Sunderland e rriti ritmin në krahasim me pjesën e parë.
Arbeloa iu drejtua stolit dhe bëri disa zëvendësime për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes, por Fulhami nuk arriti të gjente rrugën drejt golit në asnjë moment gjatë 90 minutave. Kështu, pas dy javësh të Premierligës, Arbeloa mbetet ende pa pikë me Fulhamin, me skuadrën londineze që tashmë ka pësuar dy humbje radhazi.
