Al Hilal ka arritur marrëveshje për transferimin e Gabriel Martinellit nga Arsenal, raportojnë disa media. Kampionët e 21-fishtë të Saudi Pro League kanë arritur marrëveshje me “topçinjtë” për transferimin e reprezentuesit brazilian në “Kingdom Arena”, për një shumë prej 65 milionë eurosh.
Me marrëveshjen tashmë të arritur, duket se Martinelli do t’i japë fund aventurës shtatëvjeçare në pjesën e kuqe të Londrës së Veriut, teksa është pranë hapave të fundit para se t’i japë lamtumirën “Emirates”.
E ardhmja e Martinellit ka qenë shumë e pasigurt gjatë gjithë afatit kalimtar, pasi skuadra e tij ishte në kërkim të një tjetër anësori të majtë pas largimit të Leandro Trossard dhe transferimit të Christos Tzolis.
Galatasaray kishte shfaqur interesim gjatë javëve të fundit, por braziliani e refuzoi mundësinë për t’u transferuar në Superligën e Turqisë, përpara se të arrinte marrëveshje personale me Al Hilal. Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi nisi të interesohej për anësorin më 23 gusht dhe tani ka arritur marrëveshje, pasi negociatat me klubin anglez kanë avancuar gjatë ditëve të fundit.
Marrëveshja me klubin saudit i jep fund aventurës shtatëvjeçare të Martinellit te Arsenal, pasi ai iu bashkua klubit në vitin 2019 nga skuadra braziliane e kategorisë së katërt, Ituano. Ai impresionoi që në sezonin e tij debutues, duke shënuar 10 gola në 26 paraqitje, përpara se të shndërrohej në një pjesë të rëndësishme të ekipit të parë nën drejtimin e Mikel Artetës.
Martinelli ishte një nga lojtarët kryesorë në rikthimin e Arsenalit në garat evropiane në sezonin 2021/22, ndërsa sezonin pasues shënoi 15 gola në përpjekjen e skuadrës për të fituar titullin e Premierligës. Me këtë shifër, ai barazoi rekordin e Roberto Firminos si braziliani që ka shënuar më së shumti gola në një sezon të vetëm në Premierligë.
Megjithatë, forma e tij filloi të binte, pasi në tri sezonet e fundit te klubi shënoi vetëm 29 gola të tjerë, përpara largimit të pritshëm. Pavarësisht kësaj, ai vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm dhe shënoi në momente vendimtare, teksa skuadra e tij më në fund fitoi titullin e Premierligës dhe sezonin e kaluar arriti edhe në finalen e Championsit.
Reprezentuesi i Brazilit, me 27 paraqitje për kombëtaren, tashmë pritet t’i japë lamtumirën klubit që i besoi atij që kur ishte vetëm 18-vjeçar. Martinelli largohet nga Arsenal me 62 gola dhe 36 asistime në 278 paraqitje, ndërsa gjatë kësaj periudhe fitoi një titull të Premierligës, një FA Cup dhe një Community Shield.
Largimi i Martinellit padyshim do t’i dhembë shumë tifozëve të Arsenalit, të cilët e kanë parë brazilianin të zhvillohet gjatë pothuajse gjithë karrierës së tij profesionale.
Megjithatë, shumë prej tyre e kuptojnë se ky është vendimi i duhur për klubin, i cili synon të përmirësojë skuadrën dhe të zëvendësojë një lojtar, forma e të cilit ka qenë gjithnjë e më e paqëndrueshme gjatë viteve të fundit..
