Fëmijët në një kamp ushtarako-patriotik të krishterë ortodoks të Rusisë, dyshohet se janë rrahur dhe janë përballur me ndëshkime të tjera të dhunshme, duke nxitur një hetim penal dhe vëmendje ndaj një organizate që ka marrë miliona rubla përmes granteve shtetërore.
Kampi Bogatyrskaya Zastava (Posta e Heronjve), pranë qytetit siberian Omsk, mori rreth 60.000 dollarë nga Fondi i Granteve Presidenciale të Rusisë këtë vit. Ai funksionon në bashkëpunim me Dioqezën e Omskut të Kishës Ortodokse Ruse dhe një grup ultranacionalist të quajtur Komuniteti Rus.
Pretendimet u bënë publike pasi një djalë 11-vjeçar u kthye në korrik nga një sesion 12-ditor në kamp me mavijosje në gjithë trupin dhe u diagnostikua me frakturë të shtyllës kurrizore, sipas një postimi të nënës së tij në rrjetet sociale.
“Rrahje sistematike” Olga Belko tha se djali i saj ishte rrahur vazhdimisht nga tre djem më të mëdhenj dhe kishte frikë të ankohej, sepse dhuna u përshkallëzua pasi ai fillimisht kërkoi ndihmë. “Ai rrihej sistematikisht çdo të dytën natë”, shkroi ajo.
Belko pretendoi se djali i saj ishte ankuar vazhdimisht për dhimbje në shpinë te mjeku i kampit dhe komandanti i njësisë së tij, por se nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim. Një mik i familjes i tha Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë se edhe të rriturit në kamp merrnin pjesë në ndëshkime. “I hodhën sapun të lëngshëm në gojë.
Ai vjelli për orë të tëra”, tha miku, duke kërkuar të mbetej anonim për arsye sigurie. Ajo gjithashtu pretendoi se një komandant, i zemëruar nga ankesat e djalit, e hodhi atë mbi supe dhe e përplasi përtokë. Radio Evropa e Lirë nuk mund t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto dëshmi për keqtrajtim.
Komiteti Hetimor në rajonin e Omskut ka hapur një rast penal për “veprime të paligjshme ndaj një të mituri”. Autoritetet nuk kanë njoftuar për ngritjen e ndonjë aktakuze. Pretendime të tjera Pasi historia e djalit u bë publike, disa prindër të tjerë dolën me pretendime të ngjashme.
Dy familje i thanë Radios Evropa e Lirë se edhe fëmijët e tyre ishin rrahur ose i ishin përballur me ndëshkimeve të tjera të dhunshme në kamp në vitet 2024 dhe 2025.
Dëshmitë e tyre përmbajnë hollësi të ngjashme, përfshirë goditje me grusht në gjoks, të cilat fëmijët i quanin “thyerje kompensate”, sapun të lëngshëm të derdhur në gojën e fëmijëve, si dhe sulme nga fëmijët më të mëdhenj ndaj më të vegjëlve, ndërsa stafi i rritur nuk ndërhynte.
Një grua i tha Radios Evropa e Lirë se djali i saj 10-vjeçar u kthye nga kampi në vitin 2024 me një mavijosje të madhe në shpinë. Nëna tha se, më vonë ai tregoi se djem më të mëdhenj e kishin rrahur. “Vetëm pas një kohe, djali im tha se ishte rrahur, njësoj si të gjithë fëmijët e tjerë.
Dhe disa prej tyre ishin vetëm 8 vjeç. [Djemtë më të mëdhenj] i godisnin me grushte në gjoks, ndërsa komandantët shikonin” , pretendoi ajo. Nëna tha se fëmijëve u ishte thënë se një trajtim i tillë përfaqësonte “traditat ushtarake” dhe se duhej të mësoheshin me të, sepse “kur të rritesh, do të jesh ushtar”.
Përgatitja e ushtarëve të ardhshëm Bogatyrskaya Zastava funksionon prej gati dy dekadash dhe thotë se më shumë se 4.800 fëmijë kanë qenë pjesë e kampit gjatë 19 vjetëve të fundit. Programi aktual i tij përfshin stërvitje ushtarake, luftime trup më trup, hedhje thikash, kamuflazh, komunikim me radio, dronë, pista me pengesa dhe marshime.
Kampi thotë se synimi i tij është “të rrisë luftëtarë-mbrojtës të ardhshëm të Atdheut”. Dioqeza e Omskut e ka përshkruar Bogatyrskaya Zastava si një kamp dioqezan ushtarako-patriotik për fëmijë, që funksionon nën kujdesin e saj. Organizatorët e kampit kanë vazhduar ta lavdërojnë projektin pavarësisht pretendimeve.
Në një postim të 13 gushtit, kampi tha se sezoni i tij i vitit 2026 kishte shkuar “thjesht mrekullisht”. Komuniteti Rus, grupi ultranacionalist, gjithashtu e mbrojti kampin, duke e përshkruar raportimin mediatik për pretendimet si një sulm nga forcat pro-ukrainase. Ai gjithashtu e akuzoi djalin e lënduar për sjellje provokuese. Kampi drejtohet nga çifti Ilya dhe Yelena Cheshegorov.
Në një intervistë në vitin 2024, ata thanë se stërvitja fizike dhe ajo bazë ushtarake ishin bërë fokusi i kampit. Ilya pranoi gjithashtu se kampi mund të ishte i vështirë për fëmijët. “Fëmijët ende qajnë”, tha ai, por shtoi se komandantët nuk kishin rol për t’i ngushëlluar. “Me komandantët, me burrat, nuk ekziston një detyrë e tillë”, tha Ilya Cheshegorov.
“Do të ishte gabim t’i mëshiroje dhe t’i përkëdhelje”. Kampi u përball me shqetësime për sigurinë në vitin 2010, kur një djalë 14-vjeçar pësoi fraktura kompresive të pesë rruazave. Në vitin 2016, autoritetet e pezulluan përkohësisht kampin për shkak të shkeljeve të shumta sanitare dhe të sigurisë. Organizatorët nuk i janë përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për koment. / REL
