Një autobus dykatësh i NTP “Shkupi” është përfshirë nga zjarri në Vodno. Bëhet fjalë për autobusin e linjës 25, e cila qarkullon deri në Vodno. “Zjarrfikësit e Shkupit po punojnë për shuarjen e tij dhe pres që së shpejti të shuhet. Për momentin nuk ekziston rrezik që zjarri të përhapet drejt vegjetacionit përreth”, tha Stojançe Angellov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Nga Ndërmarrja e Transportit Publik në Shkup njoftuan se nuk ka persona të lënduar. “Shoferi ka reaguar shpejt, me gjakftohtësi dhe përgjegjësi. Ai menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe me reagimin e tij në kohë ka parandaluar pasoja shumë më serioze, dëme më të mëdha materiale dhe përhapjen e zjarrit drejt hapësirës përreth”, thanë nga NTP.
Nga aty thanë se shërbimet kompetente tashmë po kryejnë të gjitha kontrollet e nevojshme dhe se do të përcaktohet shkaku i saktë i zjarrit. Kujtojmë se autobustët e transportit publik në Shkup shpesh përsojnë defetke, ndërsa ka pasur edhe raste të tjera të zjarreve dhe aksidenteve.
Sipas raportimeve, vetëm gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar të paktën tetë incidente me autobusë që janë përfshirë nga zjarri, ndërsa në disa prej tyre automjetet janë dëmtuar rëndë ose janë djegur plotësisht.
