Kelmendi zbulon 12 kriteret për Presidentin ideal: Flet edhe për

0%

Profesori Muhamet Kelmendi në një prononcim për Bota sot”, ai ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë. Kelmendi thekson se Presidenti i Kosovës duhet të jetë një personalitet që i përshtatet shtetit dhe jo thjesht rezultat i një marrëveshjeje politike. Ai kërkon që gjatë përzgjedhjes të merret parasysh edhe historia e Kosovës dhe e figurave politike.

“Në diskutimet që po zhvillohen për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës po qarkullojnë emra, mendime dhe propozime të ndryshme. Mirëpo, në gjithë këtë debat duket se po harrohet diçka thelbësore: Presidenti i Kosovës nuk mund të jetë thjesht një emër që i përshtatet një marrëveshjeje politike. Ai duhet të jetë një personalitet që i përshtatet shtetit.

Kosova është në një situatë të veçantë historike, politike dhe kombëtare. Historia e saj është e rëndë dhe e ndërlikuar. Pushtimi i gjatë ka bërë që, në periudha të ndryshme, një pjesë e njerëzve të vihej në shërbim të sistemeve pushtuese dhe të strukturave serbo-jugosllave. Ka familje që kanë shërbyer në sistemin e Titos dhe në funksion të politikave e klikave serbomëdha.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kjo është një pjesë e historisë që nuk duhet as të manipulohet, por as të anashkalohet”, thotë ai. Profesori shprehet se kandidati për President duhet të vlerësohet përtej marrëveshjeve politike, duke pasur integritet, përgatitje, pavarësi dhe përkushtim ndaj shtetit e interesit kombëtar. Sipas tij, emrat e përfolur deri tani nuk i plotësojnë kriteret e nevojshme për këtë post.

“Për këtë arsye, kur diskutohet për një kandidat për President të Kosovës, duhet të ketë kujdes të madh në vlerësimin e tij. Nuk mjafton të shikohet vetëm biografia e sotme, posti që ka mbajtur apo marrëdhëniet që ka me partitë politike. Duhet të shikohet më thellë: kush është personi, nga vjen, çfarë ka përfaqësuar, çfarë bindjesh ka pasur dhe çfarë ka dëshmuar gjatë jetës së tij.

Në këtë vlerësim duhet të merren parasysh së paku këto elemente: 1. E kaluara e familjes dhe e kandidatit – jo për të bërë gjykime kolektive, por për të kuptuar rrethanat, qëndrimet dhe veprimtarinë e një kandidati dhe të mjedisit prej të cilit vjen. 2.

Përgatitja profesionale dhe intelektuale – Presidenti duhet të ketë nivelin e duhur kulturor, profesional dhe intelektual për ta përfaqësuar shtetin. 3. Brumosja me kulturë, traditë dhe moral shqiptar – një President i Kosovës duhet ta njohë dhe ta çmojë identitetin, historinë, kulturën dhe sakrificën e popullit të vet. 4.

Aftësia për të komunikuar me masat dhe me qytetarët – Presidenti duhet të jetë figurë që komunikon me shoqërinë, që dëgjon qytetarët dhe që di të krijojë besim e respekt. 5. Paanshmëria ndaj subjekteve juridike dhe fizike në Kosovë – Presidenti duhet të jetë mbi interesat partiake, grupore dhe personale.

Ai duhet të jetë President i të gjithëve, jo përfaqësues i një partie apo i një grupi. 6. Vendosmëria për ta ruajtur, kultivuar dhe ndërtuar shtetin – duhet të ketë karakter dhe vendosmëri për ta mbrojtur shtetësinë, pavarësinë dhe interesin e Republikës së Kosovës. 7.

Vetëdija dhe orientimi kombëtar – kandidati duhet ta ketë të qartë interesin kombëtar dhe të mos jetë i lëkundur për çështjet që lidhen me identitetin dhe interesat e Kosovës dhe të kombit shqiptar. 8.

Integriteti moral dhe personal – një President duhet të jetë njeri me autoritet moral, i cili nuk mund të blihet, shantazhohet apo manipulohet nga interesa politike, ekonomike apo personale. 9. Pavarësia nga oligarkitë dhe grupet e interesit – Presidenti nuk duhet të jetë borxhli politik i askujt dhe as produkt i pazareve të fshehta. 10.

Pjekuria dhe përgjegjësia shtetërore – posti i Presidentit kërkon maturi, qetësi, urtësi dhe aftësi për të marrë vendime në situata të vështira. 11. Qëndrueshmëria përballë presioneve të jashtme – Kosova ka nevojë për një President që di të bashkëpunojë me aleatët, por njëkohësisht di ta mbrojë interesin shtetëror dhe kombëtar. 12.

Aftësia për ta përfaqësuar Kosovën në botë – Presidenti duhet të ketë kulturë diplomatike, njohuri, autoritet dhe aftësi për ta përfaqësuar Republikën me dinjitet në arenën ndërkombëtare. Këto janë vetëm disa nga elementet që duhet t’i ketë një kandidat për President. Prandaj, emrat e përfolur si z. Dumolli, z. Shala, z.

Bajrami apo ndonjë tjetër i këtij kalibri, sipas këtij standardi, nuk i plotësojnë as përafërsisht të gjitha kriteret që kërkohen për të qenë President i Republikës së Kosovës” – u shpreh ai. Kelmendi kërkon që VV-ja dhe LDK-ja të mos zgjedhin Presidentin për interesa partiake, por një figurë të pavarur, me integritet, përvojë dhe autoritet.

Sipas tij, Kosova ka kuadro të denja, por duhet të kërkohet një personalitet që i shërben vetëm Republikës. “VV-ja, e cila po zhvillon bisedime me LDK-në, duhet ta ketë pikërisht këtë standard në themel të diskutimeve. Nuk duhet të kërkohet një emër vetëm pse mund të jetë i pranueshëm për njërën apo tjetrën parti.

Duhet të kërkohet një personalitet që është i pranueshëm për shtetin, shoqërinë dhe interesin kombëtar. Kosovës nuk i duhet një President formal, një figurë që vetëm e ushtron funksionin kushtetues dhe pret nga partitë që t’i përcaktojnë kufijtë e veprimit.

Kosovës i duhet një kuadër integral, i ndershëm, me integritet moral e kombëtar, i përgatitur profesionalisht, i pavarur dhe me autoritet për të qenë i pari i shtetit. Presidenti duhet të jetë një figurë që, kur të dalë para qytetarëve, askush të mos ketë nevojë të pyesë: Kujt i shërben? Nga kush varet? Çfarë interesi përfaqëson?

Përkundrazi, përgjigjja duhet të jetë e qartë: I shërben Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, e kaluara e çdo kandidati duhet të shqyrtohet me seriozitet. Jo për hakmarrje politike, jo për stigmatizim familjar dhe jo për të krijuar ndasi, por sepse posti i Presidentit kërkon një shkallë të veçantë besueshmërie dhe integriteti.

Nga emrat që janë përfolur deri tani, unë nuk shoh një kandidat që i përmbush në tërësi këto kritere. Por kjo nuk do të thotë se Kosova nuk i ka njerëzit e duhur. Kosova ka mjaft njerëz dhe kuadro të afta. Ka njerëz me dije, kulturë, integritet, përvojë dhe vetëdije kombëtare. Ata duhet kërkuar. Duhet identifikuar dhe vlerësuar.

Dhe duhet të gjenden jo sepse janë mirë me VV-në apo me LDK-në, jo sepse janë pjesë e një rrethi politik, ekonomik apo familjar, por sepse janë të lirë, të pavarur, të pakomprometuar, të ndershëm dhe cilësorë për shtetin dhe për kombin ”, potencon Kelmendi.

Profesori përfundon se Presidenti nuk duhet të jetë rezultat i pazareve politike, por një figurë me integritet dhe autoritet që i shërben shtetit. Ai u bën thirrje VV-së dhe LDK-së që interesin e Kosovës ta vendosin mbi atë partiak. “Zgjedhja e Presidentit nuk duhet të jetë një tjetër rast ku partitë ndajnë poste për të arritur një marrëveshje politike.

Presidenti nuk duhet të jetë çmimi i kompromisit ndërmjet partive. Presidenti duhet të jetë garant i dinjitetit të shtetit. Në fund të fundit, pyetja nuk duhet të jetë: Cilin kandidat e pranon VV-ja? Cilin e pranon LDK-ja? Pyetja duhet të jetë: Cili personalitet e meriton të jetë President i Republikës së Kosovës? Kjo është përgjegjësia që kanë sot partitë politike.

Dhe nëse e kanë seriozisht shtetin, duhet ta kërkojnë përgjigjen jo në interesin e tyre partiak, por në interesin e Kosovës. Kosovës i duhet një President që e meriton shteti — jo një President që u konvenon partive” – përfundon ai për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot