Një shpërthim i fuqishëm ka trazuar pas mesnate një lagje në Prishtinë, ku një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka hedhur granatë dore në oborrin e një shtëpie, raporton Sinjali. Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 30 gusht, rreth orës , në rrugën “Demë Ahmeti” në Prishtinë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Policia është alarmuar pas raportimit për një shpërthim, ndërsa njësitë përkatëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Dy banorë kanë deklaruar se fillimisht kishin dëgjuar shpërthimin dhe, pasi kishin dalë nga shtëpitë, kishin konstatuar dëmet e shkaktuara.
Sipas informacioneve të para, mjeti shpërthyes dyshohet të ketë qenë granatë dore, e cila ishte hedhur në oborrin e shtëpisë së njërit prej ankuesve. Nga shpërthimi është dëmtuar fasada e shtëpisë, ndërsa copëzat e mjetit shpërthyes kanë përfunduar edhe në pronën fqinje. Aty është dëmtuar edhe një veturë luksoze e tipit Audi Q8.
Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe doreza e granatës, e cila është trajtuar nga njësitë kompetente. Por një detaj i rëndësishëm për hetuesit pritet të jenë pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas informacioneve që ka Sinjali, nga pamjet e siguruara në zonë dyshohet se personi që hodhi mjetin shpërthyes po lëvizte me biçikletë. Identiteti i tij ende nuk është zbuluar.
Në vendngjarje kanë dalë Hetimet dhe Forenzika e Stacionit Policor Veriu, Hetimet Rajonale dhe Forenzika Rajonale, si dhe Njësia për Deminim, të cilat kanë kryer ekzaminimet përkatëse. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar hetim për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Hetimet për identifikimin e personit të dyshuar dhe zbardhjen e motivit të sulmit po vazhdojnë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
