Elbasani distancohet nga dhuna pas sfidës me Vllazninë

0%

Klubi i Elbasani ka reaguar në lidhje me kaosin që përfshiu përfundimin e sfidës mbrëmjen e djeshme përballë Vllaznisë. Ndeshja përfundoi me shifrat 1-1, por “spektakli” i vërtetë nisi pas duelit në fushë.

Ndërsa klubi “verdheblu” mohon që ndonjë pjesëtar i stafit apo persona nën përgjegjësinë e klubit të kenë ushtruar dhunë, ashtu siç u pretendua më herët, për sulm fizik ndaj Emiljano Mustës. Ndër të tjera, Elbasani fton palën “akuzuese” që të paraqesë fakte, për të gjitha akuzat e bëra.

Sipas klubit “verdheblu” këto akuza janë të pabazuara dhe se Elbasani nuk do të heshtë para diçkaje të tillë. DEKLARATA: Në lidhje me pretendimet e publikuara pas ndeshjes AF Elbasani – KF Vllaznia, klubi ynë hedh poshtë kategorikisht çdo akuzë për mosrespektim të procedurave të organizimit të një ndeshjeje pa praninë e tifozëve, si dhe çdo pretendim për ushtrim dhune ndaj lojtarëve apo përfaqësuesve të ekipit kundërshtar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Theksojmë qartë se nga ana e AF Elbasanit, stafit apo personave nën përgjegjësinë apo jo të klubit nuk është ushtruar asnjë formë dhune. Përkundrazi, incidenti i dhunshëm i regjistruar pas përfundimit të ndeshjes është evidentuar dhe dënuar publikisht edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, në reagimin e saj zyrtar.

AF Elbasani, në bashkëpunim me kompaninë e sigurisë dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, ka ndjekur me përpikëri procedurat dhe masat e nevojshme për mbarëvajtjen dhe sigurinë e ndeshjes. Ftojmë çdo palë që ka ngritur akuza ndaj klubit tonë të paraqesë fakte, prova apo materiale filmike konkrete që vërtetojnë pretendimet e bëra.

Nëse paraqitet një provë e tillë për shkelje, klubi do të marrë menjëherë masat përkatëse. AF Elbasani nuk do të heshtë përballë akuzave të pabazuara dhe nuk do të lejojë që emri i klubit të përdoret për të zhvendosur përgjegjësinë për ngjarje që nuk janë shkaktuar prej tij.

Burimi: Bota Sot