Kurti për Triumf Rizën: Emri i tij, pjesë e historisë së Policisë së

0%

Në 19-vjetorin e rënies në krye të detyrës, në vendin ku u vra është zbuluar lapidari përkujtimor në nderim të Heroit të Kosovës, Triumf Riza. Në ceremoninë përkujtimore, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Riza u dallua për aftësitë e tij profesionale që nga dita kur nisi Akademinë Policore në Vushtrri e deri në ditën kur ra në krye të detyrës.

Sipas Kurtit, Triumf Riza ishte shembull i një zyrtari policor të përkushtuar, i cili nuk u tërhoq përballë grupeve kriminale dhe rrezikut që ato paraqisnin për shoqërinë. Kurti tha se përkushtimi dhe profesionalizmi i Rizës do të mbeten pjesë e kujtesës institucionale dhe historisë së Kosovës. “Emri i Triumf Rizës do të jetë pjesë e historisë së Kosovës”, tha Kurti.

Ai theksoi se Riza e shihte uniformën policore si përgjegjësi për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të mbrojtur rendin dhe ligjshmërinë, ndërsa vlerësoi se misioni i tij vazhdoi përmes gjeneratave të Policisë së Kosovës. Kurti kërkoi gjithashtu që drejtësia për vrasjen e Rizës të jetë e plotë dhe përgjegjësia të shkojë te të gjithë personat që kanë pasur rol në këtë rast.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Sot, në 19-vjetorin e vrasjes së zyrtarit policor Triumf Riza, përkulemi me respekt para jetës dhe sakrificës së tij. Emri i tij mbetet pjesë e historisë së Policisë së Kosovës, ndërsa kujtimi për të vazhdon të jetojë tek kolegët, miqtë dhe familja e tij, por edhe tek secili zyrtar i shtetit tonë”, shtoi Kurti.

Ai tha se përkushtimi dhe guximi me të cilin Triumf Riza shërbeu duhet të mbeten frymëzim për gjeneratat e reja të Policisë së Kosovës. “Përkushtimi dhe guximi me të cilin ai shërbeu le të mbeten frymëzim për gjeneratat e reja të Policisë së Kosovës, për kujtesë të përhershme të sakrificës së atyre që dhanë më të shtrenjtën në shërbim të vendit dhe të qytetarëve”, tha Kurti.

Lapidari u zbulua në vendin ku Triumf Riza humbi jetën në krye të detyrës, si simbol i kujtimit dhe nderimit për shërbimin e tij në Policinë e Kosovës. “I përhershëm qoftë kujtimi për Triumf Rizën! Lavdi të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ranë në krye të detyrës!”, përfundoi Kurti.

Burimi: Bota Sot